Kuriozitete

Rusia vjen me versionin e saj të Instagramit

Shërbimi i ri, i njohur si Rossgram, do të prezantohet më 28 mars dhe do të ketë funksione shtesë

Sipërmarrësit teknologjikë rusë janë gati të prezantojnë një aplikacion për ndarjen e imazheve në tregun vendas, për të ndihmuar në plotësimin e boshllëkut të krijuar nga Instagram, që autoritetet e bllokuan këtë javë, përcjell Albinfo.ch..

Shërbimi i ri, i njohur si Rossgram, do të prezantohet më 28 mars dhe do të ketë funksione shtesë si crowdfunding dhe akses me pagesë në disa përmbajtje – shkruhet në faqen e saj web të mërkurën.

“Bashkëpunëtori im Kirill Filimonov dhe grupi ynë i zhvilluesve ishin gati për këtë kthesë dhe vendosën të mos humbasin mundësinë për të krijuar një rrjet social rus analog, të dashur nga bashkatdhetarët tanë”, shkruan Alexander Zobov, drejtor i marrëdhënieve për publikun rreth nismës, në rrjetin social VKontakte.
Rregullatori shtetëror rus i komunikimeve Roskomnadzor bllokoi aksesin në Instagram të hënën, pasi platforma që e ka në pronësi, Meta Platforms, tha javën e kaluar se do të lejonte përdoruesit e rrjetit social në Ukrainë të publikonin mesazhe të tilla si “Vdekje pushtuesve rusë”.

Meta, e cila zotëron edhe Facebook, tha se ndryshimi i përkohshëm në politikën e saj të gjuhës së urrejtjes zbatohet vetëm për Ukrainën pas pushtimit të Rusisë, duke thënë se do të ishte e gabuar të pengoheshin ukrainasit që “të shprehnin rezistencën dhe zemërimin e tyre ndaj forcave ushtarake pushtuese”.
Meta tha të dielën se po kufizonte politikën e saj të ndryshimit të përmbajtjeve për Ukrainën për të ndaluar thirrjet për vdekjen e një kreu shteti.
Rusia, e cila tashmë e ka ndaluar Facebook, ka hapur një hetim penal kundër Meta dhe prokurorët i kërkuan një gjykate që ta deklarojë gjigantin amerikan të teknologjisë një “organizatë ekstremiste”. Çështja pritet në gjykatë të hënën.

Sipas një foto të publikuar nga Zobov në Vkontakte, ngjyrat dhe layout i Rossgram do të kenë ngjashmëri të madhe me Instagram. Meta nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment mbi dizajnin e Rossgram.

Në muajt e fundit, Rusia ka zhvilluar teknologjinë e saj të brendshme, duke përfshirë edhe smartphone-t AYYA T1 të prodhuar nga konglomerati shtetëror Rostec. Në nëntor, Gazprom Media prezantuan Yappy, si rival vendas të platformës për ndarjen e videove, TikTok. /Reuters