Lajme
Ylli Sadikaj, fitues i çmimit të parë në konferencën prestigjioze të teknologjisë
Ylli Sadikaj është lindur dhe rritur në Kosovë, por ambiciet e tij e kanë dërguar në disa vende të botës, prej nga ka arritur të zhvillohet profesionalisht dhe të fitojë eksperienca të ndryshme
Ka përfunduar studimet Bachelor në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Departamenti i Inxhinierisë Kompjuterike. Duke qenë gjithmonë i dalluar dhe vetësfidues, Yll Sadikaj bëhet pjesë e grupit të parë të studentëve të këtij fakulteti, të cilëve u ofrohet mundësia të kryejnë studimet për një semestër në Norvegji, në Gjovik University College, i njohur tash si Norwegian University of Science and Technology.
“Eksperienca në Norvegji ka qenë shumë interesante dhe më ka motivuar të angazhohem që studimet master t’i vazhdoj në një vend të huaj”, tregon ai për albinfo.at.
Nga programi “Transformational Leadership” i mbështetur nga USAID dhe Qeveria e Kosovës ai arrin me sukses të jetë përfitues i bursës për studime master në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përkatësisht në North Dakota State University.
“Gjatë këtyre studimeve isha në një ambient ndryshe nga ai ku isha mësuar më herët, në grup me studentë nga vende të ndryshme, me eksperienca dhe përgatitje akademike të ndryshme. Kështu brenda grupit ndanim ide ambicioze, interesante, por edhe shume sfiduese. Ishte kjo ajo që na bënte të dalluar dhe na ndihmonte të rriteshim profesionalisht, por edhe në nivelin akademik”, thotë më tutje Ylli.
Gjithashtu edhe profesorët kanë qenë motivues dhe përkrahës të mëdhenj për Yllin gjatë kësaj periudhe, duke e ndihmuar kështu në përfundimin e detyrave dhe angazhimeve, siç ishte për shembull, rishikimi i publikimeve të hulumtuesve të kësaj fushe në revista me renome ndërkombëtare.
Pas përfundimit të studimeve master, Ylli angazhohet në pozitën e asistentit në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike për disa lëndë, që po ligjëroheshin për herë të parë në këtë fakultet.
“Kjo ishte ndjenjë e mirë për arsye se studentët në vendin tonë kishin mundësi të ndjekin lëndët që janë më të kërkuara dhe pëlqyera nga studentët kudo nëpër botë, andaj kjo na bënë të jemi më të mirë dhe më konkurrues me kolegët tanë në mbarë botën”, shprehet ai.
Ai tregon gjithashtu edhe sfidat e vështirësitë me të cilat ballafaqohen studentët kosovarë në këtë fakultet, si numri i vogël i sallave të ligjëratave dhe ushtrimeve, laboratorët e pafunksionalizuar mirë, mungesa e infrastrukturës për të zhvilluar hulumtime etj.
Kështu pas tre vjetëve angazhim në Universitetin e Prishtinës, ai vendos të vazhdojë me studimet e doktoratës në fushën e Data Mining dhe Machine Learning në Universitetin e Vjenës, ku prej dy vjetësh është pjesë e grupit hulumtues.
“Përvoja këtu deri tani ka qenë fantastike, të gjithë kolegët kanë qenë shumë ndihmues dhe përkrahës që nga dita e parë që kam ardhur këtu. Kjo më bën të ndihem mirë dhe i motivuar për të punuar, ashtu që puna jonë të krahasohet me punimet e publikuara në revistat ose konferencat më prestigjioze në botë”, shprehet i lumtur Sadikaj.
Mundi, sakrificat dhe puna e pandalshme e Yllit dh e grupit të tij sigurisht se janë shpërblyer, sepse punimi i tyre me titullin “Spectral Clustering of Attributed Multi-relational Graphs”, është përzgjedhur si punimi më i mirë i studentit në konferencën SIGKDD (Special Interest Group on Knowledge Discovery and Data Mining) që përfaqësohet prej ACM (Association for Computing Machinery) që është me interes të veçantë në zbulimin e njohurive dhe kërkimit të të dhënave. Kjo konferencë mbahet çdo vit dhe është e nivelit A*, që do të thotë e nivelit më të mirë të mundshëm në këtë fushë.
“Motivimi për punë është i lartë, kur për punën që bëjmë marrim shpërblime, të cilat janë shumë domethënëse për ne. Një motivim i tillë ishte për ne fitimi i këtij çmimi”, thotë ai.
Me vullnet të shtuar Ylli bashkë me kolegët e tij po vazhdojnë punën dhe momentalisht janë duke pritur përgjigje për disa punime që i kanë dërguar në konferenca dhe revista, ku përsëri presin përgjigje pozitive.
“Ky punim është me rëndësi dhe gëzon fokus të veçantë edhe nga shkencëtarët më me renome botërore, sepse rezultatet e nxjerra tregojnë që kanë shumë ndikim në të gjitha fushat e jetës. Por rëndësi i kushtohet faktit që këto të arritura ta përmirësojnë jetën e njeriut, në rend të parë në aspektin shëndetësor, ku provohet që të krijohen medikamente të reja që ndihmojnë në shërimin sa më të shpejtë të pacienteve dhe krijimin e komponentëve kimike që të kenë sa më pak efekte anësore tek pacientët”, shprehet shumë i motivuar ai.
Në të ardhmen Ylli do të provojë të jetë sa më afër komunitetit shqiptar në Vjenë dhe t’u ndihmojë atyre, të cilët vijnë për studime apo për të punuar.
Gjithashtu do të mundohet të ketë sa më shumë bashkëpunime me hulumtuesit që veprojnë në viset shqiptare.
box
Punimi i tij dhe i grupit, shpallet më i miri
Mundi, sakrificat dhe puna e pandalshme e Yllit dhe e grupit të tij sigurisht se janë shpërblyer, sepse punimi i tyre me titullin “Spectral Clustering of Attributed Multi-relational Graphs”, është përzgjedhur si punimi më i mirë i studentit në konferencën SIGKDD (Special Interest Group on Knowledge Discovery and Data Mining) që përfaqësohet prej ACM (Association for Computing Machinery) që është me interes të veçantë në zbulimin e njohurive dhe kërkimit të të dhënave.
E-Diaspora
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të zhvillojë nesër (24 nëntor) takimin me shqiptarët në Londër,...
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
-
Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
-
Vjenë
Virale dhe e suksesshme, Almira nga Austria ka 800 mijë ndjekës në rrjetin “tik-tok”
Jeta në Zvicër
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës. Të mërkurën, ajo i kërkoi...
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes
-
Gjeneva shtyn afatin e pagesës pas rritjes masive të taksës së makinave
-
Gjykata Federale e njeh obezitetin si paaftësi në kushte të caktuara
-
Zvicra, kampion evropian në transportin hekurudhor