Lajme
Haxhi Fejzullahu, artisti që shkrin dheun, thëngjillin dhe rërën në ngjyra
"Në natyrë drita krijon ngjyrën - në pikturë ngjyra krijon dritën”. Kjo thënie e njohur duket se është bërë moto artistit Haxhi Fejzullahu, i pranishëm në mediat shqiptare dhe në ato austriake
Piktori Haxhi Fejzullahu është një shembull i mirë se mërgata shqiptare në Austri po hyn ngadalë por sigurt në jetën kulturore dhe shoqërore të vendit ku jeton. Për të mësuar më shumë mbi veprimtarinë e tij, biseduam me artistin Haxhi Fejzullahu, me prejardhje nga komuna e Skenderajt, fshati Kuçicë.
“Kurrë nuk e kisha menduar një jetë jashtë Kosovës, ashtu si edhe shumë të tjerë, por rrethanat e krijuara në vendin tonë, lufta në Kroaci dhe në ish-Jugosllavi më detyruan të braktisja atdheun, në vitin 1991. Fillimisht migrova në Kroaci, e pastaj në Austri. Këtu isha një i huaj pa asnjë njohuri të gjuhës gjermane dhe pothuajse i humbur. Fati deshi të vendosesha në Stajermark, në Grac, e pastaj në qytezën Voitsberg, ku jetoj tash e 30 vjet”, nis rrëfimin Haxhiu.
I njohur edhe si sportist, ai thotë: “Qysh në Kroaci isha futbollist në ligat regjionale, kështu që, edhe në Austri deri vonë leje qëndrimin e kisha si sportist, pasi kam luajtur për ekipe të ndryshme në liga regjionale. Tani luaj ende, por vetëm për hobi.
Ndërsa pyetjes se cila ishte ëndrra e parealizuar nga vendlindja, ai përgjigjet: ‘Meqë merresha me sport, vendosa të regjistroj Fakultetin e Edukatës Fizike apo atë të Arteve në Prishtinë por, me hyrjen e masave të dhunshme nga regjimi serb në vitin 1989, kjo ëndërr u shua. Pastaj fillova të mendoj për alternativa tjera që kishin më shumë qëllim mbijetese duke më dërguar valët e jetës deri këtu në Austri’.
Arti, pjesë e pandashme e jetës sime
Por, as në këto kushte ai nuk është shkëputur nga arti. “Arti ka qenë gjithmonë pjesë e pandashme e jetës sime. Edhe si sportist gjithmonë kohën e lirë e kam shfrytëzuar për punime të ndryshme artistike. Kështu bëj edhe sot. Artin e ushtroja në mënyrë të vazhdueshme, që nga shkolla fillore. Më impresiononin krijuesit e mëdhenj të artit. Talentin që e kisha nga fëmijëria dhe si nxënës, e shkrija në punime arti me motive nga vendlindja, e më vonë edhe nga vendi dhe rrethi ku tani jetoj.
“Nga prezantimi i punimeve të mia në rrethe të ngushta, vërejta se pëlqeheshin, mirëpo, natyrisht, nuk i njihnin vendet të cilat i pasqyroja në punimet e mia. Vendosa të pikturoja edhe motive nga rrethi ku jetoj. Këtu pastaj filloi një etapë e re e krijimtarisë sime. Çdo herë e më shumë gëzoja admirimin e artdashëseve të këtushëm. Pasi kisha krijuar një numër të madh të punimeve, filluan edhe ofertat për ekspozita të ndryshme. Më 26 qershor 2012 hapa ekspozitën e parë në rrethinë të qytetit Köflach, ku ishte i pranishëm edhe kryetari i komunës, Riemer. Aty shpalosa artin tim në teknika të ndryshme. Kjo ekspozitë u prit shumë mirë dhe më hapi rrugë për oferta të tjera por, edhe më dha kurajë për krijime të reja”, thotë Haxhiu.
Pandemia ka dëmtuar edhe punën e tij
“Kam marrë pjesë në organizime të ndryshme të shoqatave të qytetit të Gracit. Pastaj, në vitin 2018 kam qenë pjesëmarrës në një ekspozitë të organizuar në kuadër të Javës së Kulturës Shqiptare dhe më gjerë. Punimet e mia nuk ishin vetëm me motive nga Kosova, por edhe nga Austria dhe kjo ra në sy për të mirë tek austriakët. Prej atëherë vazhdova në ekspozita të njëpasnjëshme në gjithë Austrinë. Një nga këto ishte edhe një ekspozitë e organizuar nga sektori për sport dhe kulturë në kuadër të komunave në bashkëpunim me shoqata të ndryshme, siç ishte rasti i ekspozitës në Kapfenberg, më 23 nëntor të vitit 2019.
Ndërkaq, siç tregon z. Fejzullahu për albinfo.at, pandemia ka penguar edhe punën e tij. “Ishin të planifikuara dhe të përgatitura disa ekspozita si ajo në: Göteborg- Suedi, në Nju Jork për vitin 2020 por, për shkak të pandemisë është dashur të shtyhen. Gjithashtu është shtyrë ekspozita e datës 20 Nëntor 2021 në Kapfenberg me punimet e mia dhe të dy artistëve, fotografit Remzi Feka dhe Tasim Gjinovci. Edhe pse ishin kryer të gjitha përgatitjet për këtë ekspozitë, për shkak të masave të marra nga qeveria austriakë u desh të shtyhet për më vonë. Shpresoj të organizohet gjatë muajit maj të vitit 2022. Gjithashtu, jam i ftuar edhe në një ekspozitë në kuadër të 100 vjetorit të miqësisë Shqiptare- Austriake në Horn, më 21 maj 2022”.
Dheun për ngjyrat e tij e merr në Alpet Austriake
Por, përkundër këtyre vështirësive, ai ishte pjesë e ekspozitës në kuadrin e Javës së Kulturës Shqiptare në Austri. “Ishte një organizim i shkëlqyeshëm. Kishte një titull tejet domethënës “Künstler bauen Brücken” (Artistët ndërtojnë ura). Kjo ekspozitë u mbajt më 26 Nëntor 2021 pikërisht në ditën e festës Kombëtare të Austrisë. Morëm pjesë gjashtë artistë; katër shqiptarë dhe dy austriakë. Aty, u paraqita me disa punime, ku interesim të madh zgjoi portreti i Franz Joseph-it, princit austriak, pastaj portreti i Adem Jasharit, Ibrahim Rugovës, dhe statuja e lirisë. Ato janë të punuara me dhe, thëngjill, rërë dhe ngjyra, një teknikë e veçantë e imja të cilën e kam përdor në shumë punime. Vlen të ceket se dheun e marr në alpet austriake, me mbi 1600 metra lartësi mbidetare që është një dhe shumë i përshtatshëm për mua. Në ekspozitë u paraqita edhe me punime të tjera të cilat u vlerësuan lart nga njohësit e kësaj fushe por edhe vizitorët e thjeshtë. Njoha shumë artistë nga e tërë Austria ku shkëmbyem përvoja dhe biseduam edhe për bashkëpunime në të ardhmen.
Tek flet për jetën e artistit në mërgim, Haxhi Fejzullahu thotë: “Nuk është e lehtë, sepse artisti jeton në tri botë të ndryshme, në botën e vendlindjes ku në çdo punim të tërheq të vendosësh një motiv, në botën ku jeton dhe të rrethon ku nuk mund t’i ikësh realitetit që të rrethon dhe në botën e fantazisë ku mishërohen të gjitha në një vend dhe dëshiron t’i paraqitësh ashtu siç janë dhe ashtu siç dëshiron. Kjo shpesh pasqyrohet edhe në formë kritike për ngjarjet e ndodhura, nostalgjinë, vuajtjet por, në formë indirekte me lojëra ngjyrash dhe figurash të cilat më së miri kuptohen nga artistët. Punimet e mia nuk janë të përkufizuara gjeografikisht apo në aspektin kohor, ato përbëjnë një gamë të gjerë ngjarjesh dhe pasqyrimesh në botën të cilën e jetojmë”.
Box
“Nëse pikturat mund të flisnin…”
Në punëtorinë e Haxhiut, ku zhvilluam bisedën, në një dhomë përplot punime shfletojmë disa gazeta austriake dhe shqiptare që kishin shkruar për të. Kështu, gazeta “Kleine Zeitung”, më 2 janar 2020 kishte shkruar një artikull me titullin: “Artisti që shkrin ngjyrat në fantazi”. Pastaj “Mein Bezirk” më 23 tetor 2015 një shkrim për artistin tonë e kishte titulluar: “Nëse pikturat mund të flisnin…”. Po ashtu, një shkrim tjetër ishte botuar më 30 korrik në gazetën “Zëri”. Ndërsa gazetari austriak, Franz Taucher, duke bërë fjalë për Haxhiun, e kishte përshkruar atë kështu: “Artisti që jeton në mes të kaluarës dhe të sotmes, ndërsa mendon për të ardhmen”.
E-Diaspora
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të zhvillojë nesër (24 nëntor) takimin me shqiptarët në Londër,...
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
-
Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
-
Vjenë
Virale dhe e suksesshme, Almira nga Austria ka 800 mijë ndjekës në rrjetin “tik-tok”
Jeta në Zvicër
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës. Të mërkurën, ajo i kërkoi...
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes
-
Gjeneva shtyn afatin e pagesës pas rritjes masive të taksës së makinave
-
Gjykata Federale e njeh obezitetin si paaftësi në kushte të caktuara
-
Zvicra, kampion evropian në transportin hekurudhor