Lajme
Shkencëtarja kosovare, pas Harvardit kthehet në Vjenë
Irfete Fetahu është shkencëtare nga Kosova që tani jeton në Vjenë. Profesionalizmi i saj vjen nga vite të tëra eksperiencë në disa nga universitetet më me renome botërore si ai i Oxfordit dhe Harvardit. E angazhuar në studimet rreth sëmundjes së Alzheimer-it dhe kancerit tek fëmijët, Irfetja për albinfo.at ka treguar më shumë rreth jetës dhe punës së saj
Rrugëtimi i saj në fushën e mjekësisë ka nisur qysh kur filloi të studionte në departamentin e Farmacisë, në Fakultetin e Mjekësisë, në Prishtinë, për të vazhduar më pas me doktoratën në Universitetin e Mjekësisë, në Vjenë.
Gjatë doktorimit, Irfetja ka specializuar në disa aspekte të hulumtimeve në fushën e kancerit, në disa universitete në Evropë, përfshirë këtu Universitetin e Oxfordit. Përfundimisht, rruga e edukimit e ka dërguar edhe në Universitetin e Harvardit, ku ka qëndruar për 5 vite si postdoktorante.
Rrugëtimi i Irfetes si shkencëtare nisi nga fëmijëria
Të arriturat e Irfetes si shkencëtare zënë fill qysh nga vegjëlia e saj. Me shumë krenari dhe shumë mall, ajo kujton kohën kur si e vogël përdorte mikroskopin e së ëmës për të kryer eksperimente të ndryshme. Ndërsa, ishte i ati ai që e mbikëqyrte në këtë proces.
“Jam rritur në një ambient akademik, meqë të dy prindërit i kam profesorë. Nëna është biologe dhe përveçse është prind i shkëlqyeshëm, është edhe edukatore shembullore. E mbaj mend që e bartte mikroskopin e saj personal nga shtëpia për në shkollë, kurse unë e vëllezërit e shfrytëzonim që të mësonim për qelizat e organelet. Ndërsa, babai është profesor i gjenetikës në Universitetin e Prishtinës. Nga ai kam mësuar shumë për rigorozitetin shkencor dhe kam realizuar eksperimentet e para nën mbikëqyrjen e tij”, ka thënë Irfetja.
“Gjatë karrierës time profesionale kam pasur shumë fat që të punoj me mentorë të shkëlqyeshëm në Vjenë, Harvard e deri te dekani i Universitetit Mjekësor në Sydney, që sot e kësaj dite ende më udhëzon në jetën profesionale, dhe kam tashmë 10 vite që e njoh”, ka shtuar ajo.
Rikthimi në Vjenë dhe angazhimi i tashëm profesional
Pas përfundimit të postdoktoraturës, Irfetja në Vjenë është kthyer me bashkëshortin e saj, i cili është mjek dhe kishte studiuar bashkë me Irfeten në Harvard. Për të qenë më afër familjes ata kishin vendosur të kthehen në Evropë, e ku më mirë se në Vjenë?
“Jo vetëm jeta profesionale ishte e suksesshme, por edhe ajo personale. Aty takova tashmë bashkëshortin tim, i cili është mjek (ORL) dhe hulumtues shkencor. Pasi morëm vendimin të krijojmë familje, njëkohësisht vendosëm të kthehemi në Evropë që të jemi më afër familjeve tona, në Austri dhe në Kosovë. Tashmë jemi prindër të lumtur të një djaloshi, që në dhjetor mbushë 1 vjet”, thotë ajo për albinfo.at.
Tani, ajo punon në Institutin për Hulumtime të Kancerit të Fëmijëve (St. Anna Children`s Cancer Research Institute).
“Për momentin po merrem me hulumtime në fushën e kancerit që prekë fëmijët, në St. Anna Children`s Cancer Research Institute, ku së fundmi kam marrë edhe mbështetje financiare, rreth 350.000 euro, nga Fondi i Shkencës së Austrisë (FëF-Austrian Science Fund), që më mundëson mua dhe ekipit tim të punojmë dhe adresojmë disa pyetje shumë kritike në këtë fushë”, ka shtuar ajo.
Sëmundja e Alzheimer dhe kanceri tek fëmijët, fokusi i studimeve
Eksperiencat profesionale të Irfetes lidhen me sëmundjet vdekjeprurëse, atë të kancerit dhe të Alzheimer-it. Njëra prekë edhe fëmijët, kurse tjetra të rriturit nga mosha 60 e tutje. Fokusi në këto fusha ka një qëllim, të përmirësohet jeta e njeriut.
“Fokusi i hulumtimeve të mia në vitet e fundit ka qenë në zbulimin dhe krijimin e teksteve diagnostike të bazuara në çrregullimet që ndodhin në ADN-në (specifikisht në epigjenetikën) e pacientëve të prekur nga sëmundja e Alzheimerit (te të rriturit) ose të kancereve të rralla tek fëmijët. Puna ime si hulumtuese kërkon një nivel të lartë të përkushtimit, sepse për t`iu dhënë përgjigje pyetjeve më kritike mund të nevojiten disa vite kohë, sikurse p.sh. puna në Harvard, që më mori 4 vite. Por, në fund, kur krijojmë mundësi të reja diagnostifikimi dhe terapie për pacientë është shpërblimi më i madh që mund të marrim si shkencëtarë. Kështu, qëllimi final për mua është përparimi i shkencës dhe përmirësimi i jetës së njeriut”, ka thënë ajo.
Arritja më e madhe, çmimi në “World Innovation Forum”, pse?
Në vitin 2019, Irfetja është nderuar me çmimin “World Innovation Forum”, i cili është edhe arritja e saj më e madhe e deritanishme në karrierë. Pikërisht fakti se nga Harvardi kanë dalë shumica e nobelistëve dhe shkencëtarë të shkëlqyer, e shton edhe më nderin dhe krenarinë për pranimin e këtij çmimi.
Rëndësinë e hulumtimit që e futi Irfeten në Top 500 të studiuesve në Shkollën e Mjekësisë në Harvard, e tregon ajo, teksa sqaron zbulimin që ka bërë për sëmundjen e Alzheimer-it.
“Një prej nderimeve më të rëndësishme të karrierës time deri më tash, me të cilin jam shumë krenare, është çmimi që më është dhënë në “World Innovation Forum në 2019”. Hulumtimi më ka listuar edhe si Top 500 Inventors në Harvard Medical School. Rëndësia e këtij hulumtimi është se ka mundësinë të bëjë revolucion në mënyrën se si diagnostifikohet në të ardhmen Alzheimer. Mungesa e metodave që përcaktojnë këtë sëmundje bën që shumica e pacientëve të diagnostifikohen me vonesë”, ka thënë ajo, ndërsa sqaron tutje.
“Deri më tani, Alzheimer diagnostifikohet vetëm përmes rezonancës magnetike. Kurse, qëllimi i studimit ishte pikërisht që të krijohet një test që është minimalisht invasiv dhe që na mundëson të testojmë pacientët sipas nevojës. Pas disa vitesh studimi, kam identifikuar disa çrregullime që na ndodhin mbi ADN (epigjenetikë), e që mund të testohen në mostra gjaku. Kështu, pacientët që janë të prirur për këtë sëmundje mund të identifikohen edhe 10 vite para se sëmundja të shfaqet klinikisht”, ka sqaruar Irfetja për albinfo.at.
box
Mjekësia në Kosovë, parë nga syri i shkencëtares
Mjekësia në Kosovë ka probleme kritike. Sipas Irfetes, duhet të krijohet një infrastrukturë që mundëson zhvillimin e hulumtimeve dhe trajtimit të duhur të pacientëve. “Kam shumë kolegë në Kosovë që janë të shkëlqyer në profesionet e tyre specifike në fushën e mjekësisë, e më gjerë. Fatkeqësisht ka mungesë të pothuajse çdo infrastrukture që është e nevojshme për të bërë hulumtime, por edhe për të trajtuar pacientë. Nuk është shokues fakti që shumë të rinj nuk kanë vullnet për të punuar në vend, sidomos kur kemi parasysh barrierat burokratike dhe politike. Shpresoj që gradualisht të ndërtojmë një shoqëri të shëndetshme civile dhe politike që punon në krijimin dhe ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme, që i adreson këto mungesa vitale në këtë sektor”, ka përfunduar Irfete Fetahu.
E-Diaspora
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të zhvillojë nesër (24 nëntor) takimin me shqiptarët në Londër,...
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
-
Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
-
Vjenë
Virale dhe e suksesshme, Almira nga Austria ka 800 mijë ndjekës në rrjetin “tik-tok”
Jeta në Zvicër
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës. Të mërkurën, ajo i kërkoi...
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes
-
Gjeneva shtyn afatin e pagesës pas rritjes masive të taksës së makinave
-
Gjykata Federale e njeh obezitetin si paaftësi në kushte të caktuara
-
Zvicra, kampion evropian në transportin hekurudhor