Tematike

Ja përse gjithnjë më pak të huaj po e marrin pasaportën e Zvicrës

Që nga ndryshimi i ligjit për natyralizimin, në vitin 2018, në Zvicër janë regjistruar më pak natyralizime - kjo, pasi për shumë njerëz pengesat janë bërë shumë të larta

Fillimi i tekstit të ligjit për Natyralizimin (viti 2018) sikur paralajmëronte një lehtësim: sipas tij, të huajt mund të aplikojnë për shtetësi në Zvicër pas vetëm dhjetë vjetësh – më parë kushti për të marrë pasaportën ishte qëndrimi prej të paktën dymbëdhjetë vitesh në Zvicër.
Por, po të shikosh më nga afër, rezulton se ligji është shtrënguar diku tjetër, transmeton albinfo.ch. Kështu, sot ata që duan të natyralizohen duhet të kenë paraprakisht leje të përhershme qëndrimi (Vizë C),  nuk mjafton më leja “e thjeshtë” e qëndrimit (Viza B).

Dhe: Duhet të kalohet një test i standardizuar në njërën nga gjuhët e vendit,  përpara se të fillojë procesi i natyralizimit.

Lucerni natyralizon dukshëm më shumë shtetas gjermanë

Kështu si është gjendja, del se ndryshimi i ligjit në vitin 2018 po ndikon në numrin e natyralizimeve, shkruan srf.ch. Nëse në vitin 2017 rreth 46,000 të huaj kishin  marrë pasaportën zvicerane, në vitin 2020 këtë e kishin bërë pak më shumë se 35,000 veta.

Rënia nuk është e barabartë për të huajt nga të gjitha vendet e origjinës. Një vështrim në statistikat e natyralizimit të qytetit të Lucernit tregon këtë: në vitin 2020, nënshtetësinë zvicerane e kanë marrë pothuajse dy herë më shumë gjermanë sesa një vit më parë – numri i personave të natyralizuar nga Sri Lanka, nga ana tjetër, kishte rënë për tri të katërtat.

“Natyralizimi është bërë më i lehtë për njerëzit nga vendet gjermanishtfolëse” thotë Felix Kuhn, Kryetar i Komisionit të Natyralizimit, në qytetin e Lucernit. “Ata që vijnë nga Afrika, bota arabe apo Sri Lanka, nga ana tjetër, shpesh nuk kanë asnjë shans”, transmeton albinfo.ch. Jo sepse komisioni që drejton ai refuzon njerëz të tillë – por sepse ata nuk mund të aplikojnë për natyralizim në radhë të parë.

Ky trend mund të shihet në të gjithë Zvicrën, thotë Walter Leimgruber, Kryetar i Komisionit Federal të Migracionit. “Rezulton se procedura e natyralizimit është bërë më e lehtë për njerëzit me kualifikim të lartë, ndërkohë që pengesat tani janë më të larta se sa ishin më parë për njerëzit me sfond migrimi ose më pak të arsimuar.”

Leimgruber: “Kjo praktikë e natyralizimit çon në një shoqëri me dy klasa”

Efektet e kësaj mund të jenë problematike në afat të gjatë, mendon Leimgruber. “Kjo çon në një shoqëri me dy klasa. Disa emigrantë kanë ardhur në përfundimin se shtetësia për ta mbetet e paarritshme dhe ata duken të padëshiruar. Rezultati është tërheqja, indiferenca ndaj çështjeve që ne si shoqëri në këtë vend duhet t’i trajtojmë së bashku”.

Përveç kësaj, Zvicra humbet në këtë mënyrë mundësinë e shfrytëzimit të potencialit të atyre që duan të natyralizohen. “Ne e dimë se natyralizimi rrit përkushtimin, edhe në punë”, thotë Walter Leimgruber, transmeton albinfo.ch. Të ardhurat e të huajve, me natyralizimin e tyre  rriten për më shumë se 10 për qind, për shembull sepse vazhdojnë shkollimin dhe në këtë mënyrë përmirësojnë mundësitë e tyre të punës.

Prandaj Leimgruber kërkon që kriteret e pranimit për procesin e natyralizimit të zbuten dhe testi i gjuhës të ridizajnohet. “Këto teste i vënë në disavantazh të huajt e paarsimuar. Pas vitesh punë të përditshme në Zvicër, ata nuk janë mësuar me situata të tilla provimi”.

“Të gjithë kanë mundësinë të mësojnë një gjuhë të vendit”

Por deputeti nacional i SVP-së nga Cyrihu, Gregor Rutz, nuk sheh arsye për t’u brengosur. Në vitin 2014 ai ishte përfshirë në debatin e zhvilluar në Parlamentin Federal rreth ligjit për të drejtat civile dhe sot thotë: “Kriteret për procesin e natyralizimit janë absolutisht të plotësueshme”.

Leja e qëndrimit të përherrshëm (Viza C) është shenjë se dikush është i integruar në Zvicër, thotë Rutz, përcjell albinfo.ch. Është gjithashtu e drejtë këmbëngulja në njohjen e një gjuhe të vndit – në fund të fundit, natyralizimi është i lidhur me të drejtën për të pasur të drejtën e pjesëmarrjes në politikë. Gregor Rutz nuk sheh kërcënimin e një shoqërie me dy klasa: “Çdokush që jeton këtu ka mundësi të mjaftueshme për të mësuar një gjuhë kombëtare”.