Opinione
Mullinjtë e Kosovës në UNESCO
Ka kohë që kam marrë si shprehi të këpus artikuj nga gazeta të ndryshme, me qëllim t’i lexoj në momente të caktuara, e sidomos kur kam kohën përpara vetes. E çdo herë që ndaj artikuj që më duken të rëndësishëm, më kujtohet ajo thënia që në shumë raste e kemi dëgjuar, e shpresoj nuk jam i vetmi që nuk e kam harruar: «Është shumë i mençur filani, se çdo herë e lexon krejt gazetën, nga fillimi deri në mbarim»… E mbarimi i kësaj thënie më duket se ka marrë fund që kur është shfaqur Facebuku. Se, në fakt, tani nuk mund të themi që filani është shumë i mençur se rri tërë ditën e natën në Facebuk!
Këto mendime më përcjellin derisa të vendosem në kafenenë e quajtur «Instanbul» të lagjes ku banoj, në Lozanë të Zvicrës. Ulem si gjithmonë në të njëjtin vend që të kem mundësi të shoh kush futet në kafene!
Nuk kam kohë t’i nxjerr artikujt që i kam ndarë për t’i lexuar dhe më afrohet kamarieri që tani kam marrë vesh që vie nga Athina, e që punon ka disa muaj për pronarët turq!
Edhe pse ngurroj të porosis një kafe turke, në fund e ndaj mendjen e porosis një kafe esspreso italiane.
Artikujt, edhe pse të palosur si më së keqi, arrij t’i lexoj. Artikulli i parë bën fjalë për dosjen që Zvicra është duke përgatitur që të fusë anijet me vela latine si pasuri të trashëgimisë botërore. Kjo dosje u bashkohet edhe 5 dosjeve të tjera, në të cilat Zvicra aktualisht është duke punuar.
Bëhet fjalë për dosjet që kanë të bëjnë me: Festën e vreshtave; Menaxhimin e rreziqeve të orteqeve; Njohuritë në mekanikën dhe orëtarinë; Java e shenjtë e Mendrisio-s dhe Karnavali i qytetit të Bazelit.
Dosja e anijeve me vela latine më bën përshtypje më shumë nga fakti se në liqenin e Lozanës kam pasur jo vetëm mundësinë t’i shikoj, po edhe të lundroj me këto anije. Dhe, ndoshta ky fakt më bën të thellohem edhe më shumë në shkrimin që jep detaje se si këto anije të vjetra kanë lindur në Detin Mesdhe e në liqenin Leman (të Gjenevës), janë të pranishme që nga shekulli XIII. E për të rritur mundësinë që këto anije të pranohen në UNESCO, grupi punues është duke punuar edhe me shtetet e tjera, si me Spanjën, Italinë dhe Kroacinë.
Po nuk është e rastësishme që interesohem për këtë temë që lidhet me pasuritë materiale dhe jomateriale si trashëgimi botërore. Ky shkrim më bind edhe më shumë që Kosova të realizojë së pari promovimin e vlerave të UNESCO-s në Kosovë, duke filluar në shkolla apo në aktivitete të ndryshme lokale. Krahas kërkesës për t’u anëtarësuar në UNESCO, të përgatitë dosje që lidhen me vlerat materiale dhe jomateriale që do të kishte mundësi t’i dërgonte në UNESCO për t’u pranuar si pasuri botërore.
Një trashëgimi që do të kishte shumë mundësi të përgatitej mirë në shumë aspekte dhe si mundësi të pranohet si pasuri materiale nga UNESCO, është trashëgimia të cilën Kosova e posedon që nga kohët e lashta, e kjo pasuri ka të bëjë me mullinjtë e ujit të Kosovës, të shpërndarë anembanë viseve të Kosovës.
Mullinjtë lidhen së pari me identitetin shqiptar. Në shkrimet frënge lidhur me origjinën e mullinjve thuhet që mullinjtë e ujit janë zbuluar nga Ilirët që kanë përdorur mullinjtë jo vetëm për bluarje të grurit apo të drithërave, po edhe për shtypjen e ullinjve, etj. https://www.universalis.fr/encyclopedie/moulin-a-eau/ .
Kosova ka rrjetin e mullinjve dhe çdo regjion ka historitë e veta të lidhura me mullinj. Mjafton vetëm të lexojmë, të dëgjojmë apo të shikojmë historitë që lidhen me luftën e fundit të Kosovës, ku mullinjtë e Kosovës na paraqiten si kështjella mbrojtëse. Mjafton të dëgjojmë rrëfimet ku popullsia e vendosur në male të ndryshme të Kosovës ka gjetur prehje edhe në mullinj, të cilët shërbyen për të ushqyer popullsinë apo për të mbushur bateritë e telefonave celularë të ordinatorëve të UÇK-së!
Mullinjtë, si fabrika të para që lidhen me njerëzimin, fusin në vetvete e na paraqiten edhe si vende sociale, si platformë të rrjetit, shpërndarje të njohurive e të shkëmbimit të mallrave.
Interesim im për mullinjtë me siguri lidhet me fëmijërinë time që kur kaloja pushimet e verës te dajat në pemishtë dhe pjesën më të madhe të kohës e kaloja duke lozur te përroi ku ishte Mulliri i Dajës Hafiz apo në katundin tim, në Kllodernicë, te Mulliri i Tafës!
Mbas lufte është bërë një punë e rëndësishme në Kosovë për mbrojtjen e restaurimin e shumë mullinjve. Mendoj që ajo çfarë duhet realizuar është që të krijohet një grup punues i udhëhequr nga strukturat qendrore, duke përfshirë në grupet punuese profesionele të fushave të ndryshme që mund të lidhen me mullinjtë.
Ky përshkrim për shtrirjen e mullinjve që ekzistojnë dhe që nuk ekzistojnë tani më, do të ishte e mundur edhe me një përshkrim në hartat elektronike për mullinjtë aktualë dhe të shkuar. E kjo gjendje faktike për shtrirjen e mullinjve dhe ish-mullinjve do të kishte vlerë të madhe edhe për gjendjen hidrologjike të Kosovës. Puna për mirëmbajtjen e mullinjve lidhet drejtpërdrejt me mirëmbajtjen e ujërave të Kosovës.
Dua të ik nga ky mendim për idenë e mbrojtjes të mullinjve të Kosovës dhe si mundësi që t’i largohem kësaj ideje është të porosis kafenë e dytë dhe të marr artikullin e dytë që ta lexoj.
Artikulli i dytë sikur më ndihmon për qasjen time për të parë Kosovën me projekte të mëdha që i duhen së pari popullsisë së vet që do të ndikonte të ketë një jetë më të mirë.
Artikulli i dytë i jep hapësirë një etnopsikiatri francez që tregon për Ndjeshmërinë ndaj Tjetrit, në kontekstin e migracionit, e sipas etnopsikiatrit «çdo migrim shfaq në vete traumatizim, edhe nëse ky migrim është me vetëdëshirë”. Ai shton që “të migrosh është të humbësh botën tënde, është një shqetësim që nuk na lëshon kurrë».
Kjo qasje e këtij etnopsikiatri nuk më pëlqen, se qasjen time për vendin tim e shoh si qasje që përmbledh e që ndërthur në vetvete përvojë e dashuri për vendin që jam duke jetuar dhe për Kosovën time që dëshiroj ta shoh të ecë më shpejt se idetë e mia që vijnë nga Zvicra.
Mbrojtja e mullinjve të Kosovës jo vetëm që do të ishte projekt i madh shumëdimensional e fitimprurës, por do të ishte edhe një mundësi e madhe që mbrojtësit e Kosovës të kenë edhe më shumë mundësi të vazhdojnë të mbrojnë kandidaturën e Kosovës për t’u futur në UNESCO. Do të ishte edhe më lehtë të mbrohet futja e Kosovës në UNESCO kur do të shihej që Kosova, krahas promovimit të vlerave të UNESCO-s, ka bërë hapa konkretë për t’i mbrojtur vlerat e veta.
Migjen Kajtazi
E-Diaspora
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të zhvillojë nesër (24 nëntor) takimin me shqiptarët në Londër,...
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
-
Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
-
Vjenë
Virale dhe e suksesshme, Almira nga Austria ka 800 mijë ndjekës në rrjetin “tik-tok”
Jeta në Zvicër
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës. Të mërkurën, ajo i kërkoi...
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes
-
Gjeneva shtyn afatin e pagesës pas rritjes masive të taksës së makinave
-
Gjykata Federale e njeh obezitetin si paaftësi në kushte të caktuara
-
Zvicra, kampion evropian në transportin hekurudhor