Integrimi

Avni Orllati, ndërtimtari i shtigjeve të gjata

“Orllati ka kontribuar, jo vetëm në ndërtimin e imazhit pozitiv te kosovarëve në vendin tonë, por edhe në ndërtimin dhe zhvillimin ekonomik të kantonit tonë dhe Zvicrës”

Avni Orllati njihet gjerësisht në Zvicër dhe jo vetëm nga lexuesit e albinfo.ch. Themeluesi dhe pronari i kompanisë së madhe “Orllati S.A” është shpallur nga platforma jonë personalitet i vitit në kategorinë e afarizmit.

Por kush është Avni Orllati? Në vitin 1995, në moshën 21 vjeçare, Avniu dhe vëllai i tij binjak Basriu krijuan biznesin e tyre të parë, duke marrë me qira një makinë që thyen betonin. Sot Orllati është një ofrues kryesor në fushën e “ndërtimit të gjelbër” dhe punëson mbi 850 persona në Zvicrën perëndimore, gjegjësisht në Kantonin Vaud. Kompania e tij është e specializuar në të gjitha fushat e punëve ndërtimore përgatitore.

Në vitin 1997 bashkohet me kompaninë edhe vëllai i tyre Gjevgjeti dhe krijojnë kompaninë e tyre të re Orllati S.A. Në vitin 2012 kompania transformohet në Grupin “Orllati S.A”. Ata deri më tani kanë realizuar mbi 1000 objekte ndërtimi në Zvicër.

“Orllati ka kontribuar, jo vetëm në ndërtimin e imazhit pozitiv te kosovarëve në vendin tonë, por edhe në ndërtimin dhe zhvillimin ekonomik të kantonit tonë dhe Zvicrës”, thotë për kompaninë dhe për Avniun, Christophe Reymon, Drejtor gjeneral i Qendrës Patronal.

Truri i kësaj historie suksesi të diasporës shqiptare në Zvicër, Avni Orllati, i lindur më 1974, thotë se “Groupe Orllati SA”, ka të punësuar mbi 800 punëtorë, në disa sektorë të ndryshëm. “Jemi të pranishëm në një pjesë të madhe të Zvicrës frankofone. Sa i përket ndërtimit, në këtë pjesë të Zvicrës, konjunktura e favorshme ekonomike, aktualisht e ka mundësuar nisjen e disa  projekte të mëdha me karakter rajonal dhe nacional”.

Ai në këtë vazhdë përmend disa nga projektet e rëndësishme, si: Transformimi i stacionit të trenit dhe i urës se kuqe në Grand Lancy në Gjenevë, në kuadër te projektit CEVA, duket se është më i madhi prej tyre. “Projekti total kap shifrën afër 20 miliardë franga zvicerane. Këtu ishim ne, pra ndërmarrja “Groupe Orllati” në një konzorcium me dy ndërmarrje të tjera zvicerane”, saktëson ai.

Vitin e kaluar, Avni Orllati është zgjedhur “Ndërmarrësi i vitit 2020” në lëmin e ndërtimtarisë, në nivel të Zvicrës. Megjithëse “Luan” në kategoritë më të larta të biznesit zviceran, Avni Orllati nuk i ka shkëputur asnjëherë lidhjet me komunitetin shqiptar, të cilit i takon. Dhe, ky komunitet krenohet me të drejtë me arritjet e tij. Ndër të tjera, edhe duke e zgjedhur atë si “Personalitet të vitit” në fushë të afarizmit, siç veproi këtë vit platforma mediale albinfo.ch.