Kosova

Kosova i shiti Maqedonisë 300 mijë tonë thëngjill

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se ka biseduar me zyrtarë të qeverisë maqedonase, të cilët i kanë konfirmuar se kanë blerë nga Kosova 300 mijë tonë thëngjill.

Po ashtu, ai ka thënë se i kanë kontraktuar edhe 170 mijë tonë.

“300 mijë tonë i kanë blerë nga Kosova dhe i kanë kontraktuar edhe 170 mijë ton thëngjill nga Kosova. Të tjerët me resurset tona po bëjnë zgjidhje. Kemi shumë familje me asistencë sociale dhe kanë nevojë ta ndjejnë dorën e shtetit në këto momente të rënda. Unë kërkoj nga kryeministri që të mos i ikë kësaj përgjegjësie”, tha Tahiri.

Para pak ditësh është raportuar se Kosova planifikon që Maqedonisë së Veriut t’ia shesë 3 milionë tonë thëngjill.

Fillimin e negociatave mes dy vendeve për shitjen e thëngjillit e ka bërë të ditur ministri i Ekonomisë në Maqedoninë e Veriut, Kreshnik Bekteshi.

“Fillojmë negociatat për mundësinë e importit të thëngjillit nga Republika e Kosovës në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Për ta tejkaluar çdo krizë sigurisht se kërkohet bashkëpunim dhe me ministren Rizvanolli, u dakorduam që bashkëpunimin tonë të shkëlqyeshëm ta thellojmë edhe më shumë në të ardhmen dhe ta tejkalojmë sa më shpejtë, edhe sfidën me krizën energjetike”, u tha në postimin e tij.

“Nga sot ne filluam edhe negociatat për importin e thëngjillit nga Republika e Kosovës, ku paraqitëm edhe një draft verzion të Memorandumit për bashkëpunim”, u deklarua më tutje ai. Të gjithë këtë, njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, e ka konsideruar si paradoks, duke pasur parasysh kapacitetin e thëngjillit në vend, shkruan lajmi.net

“Në rend të parë duhet të kuptohet se Kosovës i mungon një strategji e mirëfilltë ekonomike, në këtë drejtim do të thotë po pëson Kosova edhe në aspektin energjetik. Nuk i bëhet nder Kosovës në qoftë se pengon ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese, kur dihet fare mirë se Serbia prodhon afro 6 megawatë energji elektrike, Maqedonia 670, Mali i Zi prodhon afër 300 dhe Kosova me të gjithë këto potenciale të thëngjillit importon energji elektrike”, deklaroi ai.