Lajme

90% e viktimave nga korona kanë vdekur drejtpërdrejt nga virusi

Sipas vlerësimit të mjekëve, po të mos ishte korona, ata nuk do të kishin vdekur në kohën kur kanë vdekur, raporton gazeta "SonntagsZeitung".

Zyra Federale e Statistikave e Zvicrës (BFS) ka dhënë për herë të parë shifra të verifikuara për viktimat e Covid-it.

Sipas  saj, është e vërtetë se shumica e njerëzve që kanë vdekur në lidhje me koronën kishin sëmundje të mëparshme, transmeton albinfo.ch.  Por, 90 për qind të viktimave për të cilat mjekët përkatës kanë shënuar “Covid” në certifikatën e vdekjes, virusi ishte shkaku kryesor i vdekjes.

Me fjalë të tjera, sipas vlerësimit të mjekëve, po të mos ishte korona, ata nuk do të kishin vdekur në kohën kur kanë vdekur raporton gazeta “SonntagsZeitung”.

Shifrat e publikuara rishtazi nga BFS lidhen me marsin e vitit 2020. Ky ishte muaji i parë në të cilin pati vdekje nga korona në Zvicër,

Prej të vdekurve “nga” korona dhe jo vetëm “me” koronën,  91 për qind kanë vuajtur nga të paktën një sëmundje shoqëruese, shkruan gazeta, transmeton albinfo.ch. Më së shpeshti është raportuar për sëmundjet e frymëmarrjes.

Shumica e viktimave ishin mbi 65 vjeç.

Sipas BAG, tre persona nën moshën 20 vjeç kanë vdekur nga korona që nga fillimi i pandemisë.

Rreth 38,000 zviceranëve u është dashur të shtrohen në spital për shkak të koronës.