Lajme

Pandemia uli jetëgjatësinë dhe bruto prodhimin vendor të Zvicrës

Megjithatë, kënaqësia me jetën është ende e lartë në krahasim ndërkombëtar - edhe pse në rënie

Pandemia e Covid 19 po lë gjurmë në mirëqenien e popullsisë zvicerane: jetëgjatësia ka rënë ndjeshëm në vitin 2020, ashtu si edhe Bruto Prodhimi Vendor.

Kështu, n vitin 2020, jetëgjatësia e burrave është zvogëluar për pothuaj një vit krahasuar me një vit më parë, ndërsa ajo e grave, për gjysmë viti. Djemtë e lindur në 2020 kanë një jetëgjatësi prej 81 vjetësh, vajzat mund të shpresojnë mesatarisht 85.1 vjet.

Në vitin 2020, personat mbi 64 vjeç janë prekur më shumë nga niveli i rritur i vdekshmërisë krahasuar me grupmoshat më të reja.

Megjithatë, kënaqësia me jetën është ende e lartë në krahasim ndërkombëtar – edhe pse në rënie, transmeton albinfo.ch. Kjo del nga matja (anketa) e përditësuar e mirëqenies, e publikuar nga Zyra Federale e Statistikave, BFS.

Borxhi publik gjithashtu është rritur, ndonës jo në mënyrë të papritur: qeveria federale, kantonet dhe komunat, në vitin e parë të Koronës (2020) kanë shpenzuar 11 miliardë më shumë se në vitin 2019. Borxhi ka kaluar shifrën prej 300 miliardësh dhe ka arritur në 304 miliardë franga, njofton sda.ch.

“Vrima” në arkën shtetërore është zgjeruar, dhe jo vetëm për shkak të rritjes së shpenzimeve për masat e ndërmarra për të lehtësuar efektet ekonomike, sociale dhe shëndetësore të pandemisë Covid-19. Përveç kësaj, të ardhurat kanë rënë për pak më pak se 4 për qind. Kjo ka ndodhur kryesisht për shkak se janë paguar më pak taksa për karburantet – veçanërisht për benzinën dhe naftën. E mira që ka rezultuar nga e gjithë kjo është se konsumi bruto i energjisë është ulur  përpothuajse 10 për qind.

Të anketuarit janë shprehur se mbështesin shpresat e tyre në sistemin politik të Zvicrës, përcjell albinfo.ch. Besimi në politikë ishte 47 për qind pikërisht përpara bllokimit të pjesshëm, pas të cilit ai qe rritur në 54 për qind.

Sipas BFS, besimi në fjalë ka rënë përsëri që atëherë, por, duke mbetur në 51 përqind është ende dukshëm më i lartë sesa përpara bllokimit të pjesshëm në mes të marsit 2020.