Lajme

Gjermania paralajmëron masa gjatë ditëve të festave

Gjermania pritet të vendosë masa të reja para Vitit të Ri, me qëllim që të frenojë përhapjen e koronavirusit, tha sot kancelari gjerman, Olaf Shcolz.

Në mesin e masave do të jetë edhe kufizimi i tubimeve private i personave të vaksinuar, që nuk duhet të kalojë shifrën prej dhjetë personash.

Edhe pse nuk do të ketë izolim mbarëkombëtar, Scholz është pajtuar me kryeministrat e 16 shteteve gjermane që të mbyllen klubet e natës dhe diskotekat, ndërkaq ngjarjet e mëdha, përfshirë ndeshjet e futbollit, do të mbahen pa shikues.

“Ne nuk mund dhe nuk duhet të mbyllim sytë para valës së radhës”, tha Scholz për gazetarët, pas takimit me kryeministrat gjermanë.

“Koronavirusi nuk ka pushim gjatë Krishtlindjeve”, tha ai duke shtuar se është çështje javësh përpara se varianti Omicron i koronavirusit, të bëhet variant dominues në Gjermani.

Scholz do të takohet sërish me krerët e shteteve gjermane më 7 janar për të diskutuar për situatën me pandeminë COVID-19.