Lajme

CDC rekomandon vaksinat Pfizer dhe Moderna përpara Johnson & Johnson

Qendrat e SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve ndryshuan rekomandimet për vaksinat anti-COVID të enjten për të bërë të qartë se vaksinat e bëra nga Moderna dhe Pfizer/BioNTech preferohen mbi vaksinën e Johnson & Johnson.

Rekomandimi i ri: “Vaksinat mARN preferohen ndaj vaksinës Janssen COVID-19 për parandalimin e coronavirusit për personat 18 vjeç e lart”.

Më herët të enjten, Komiteti Këshillimor i CDC për Praktikat e Imunizimit miratoi rekomandimin e përditësuar pasi dëgjoi të dhëna të reja që tregojnë se një sindromë e rrallë e mpiksjes së gjakut është më e zakonshme te njerëzit që së fundmi morën një vaksinë J&J sesa besohej më parë. Drejtoresha e CDC, Dr. Rochelle Walensky pranoi rekomandimin e përditësuar brenda disa orësh, shkruan CNN.

CDC ka regjistruar 54 raste në SHBA të trombozës me sindromën e trombocitopenisë ose TTS në SHBA që kur vaksina u bë e disponueshme. Nëntë persona kanë vdekur – shtatë gra dhe dy burra.

Normat janë më të larta se sa ishte vlerësuar më parë si për burrat ashtu edhe për gratë, tha në takim Dr. Isaac See i CDC-së. Ndërsa vetëm disa raste janë parë për çdo milion njerëz të vaksinuar sipas grupmoshës, ato janë më të larta se sa besohej kur këshilltarët e vaksinës u informuan për herë të fundit.

“Ne jemi goditur në shqyrtimin e këtyre rasteve nga sa shpejt një pacient përkeqësohet … deri në vdekje”, tha See. Simptomat fillojnë gjithmonë brenda dy javësh nga marrja e vaksinës dhe, mesatarisht, brenda nëntë ditëve.

“Norma e raportimit të rasteve të TTS në SHBA pas vaksinimit me Johnson & Johnson është më e lartë se ajo që ishte paraqitur më parë në ACIP dhe shkalla e raportimit të rasteve për burrat 40-49 vjeç dhe për gratë 50-64 është e ngjashme me atë për gratë 18-29 vjeç”.

“39 nga 54 rastet e raportuara ndodhën përpara se CDC dhe Administrata e Ushqimit dhe Barnave e SHBA-së të ndalonin administrimin e vaksinës në prill për të hetuar lidhjen. Agjencitë rifilluan lejen për përdorimin e vaksinës më vonë në prill. Që atëherë, CDC ka mësuar për më shumë raste”, tha See.