Lajme

Berset sqaron përse Zvicra nuk do të mbyllet, siç bëri Austria

"Situata në Zvicër nuk është e njëjtë me atë që ishte në Austri gjatë valës së 5-të", është përgjigjur Berset. Për shembull, incidenca e rasteve në Zvicër është më e ulët

Në konferencën për media që sot para dite mbajtën ministri i shëndetësisë, Berset dhe kryetari i Konferencës së Mjekëve Kantonalë Engelberger, u bënë pyetje nga më të ndryshmet.

Njëra prej tyre ishte: përse nuk bën Zvicra një bllokim të plotë sikundër bëri para disa javësh Austria fqinje, transmeton albinfo.ch.

“Një bllokim i rreptë, si në Austri, ku ky hap duket se ka funksionuar, përse nuk po merret parasysh?”, ishte pyetja.

“Situata në Zvicër nuk është e njëjtë me atë që ishte në Austri gjatë valës së 5-të”, është përgjigjur Berset. Për shembull, incidenca e rasteve në Zvicër është më e ulët. Por ne nuk mund të përjashtojmë kurrë asgjë”, ka thënë tutje ministri i Shëndetësisë.

Virusi aktualisht qarkullon kryesisht tek të rinjtë dhe kjo nuk është “dhe aq problematike”, në kuptimin që të rinjtë e infektuar nga korona, zakonisht nuk sëmuren rëndë, përcjell albinfo.ch. “Por, nëse kjo do t’u ndodhte sërish të moshuarve, sikur në valët e mëparshme, situata do të ishte ndryshe. Ne po përpiqemi të mbajmë gjithçka nën kontroll, por nuk kemi pasur kurrë strategjinë zero-covid”, ka shtuar Berset.