Lajme

Kantoni Vaud shpall “krizën kantonale” të koronës

Kjo do të thotë, veç tjerash, se kantoni, nëse është e nevojshme, mund t'i detyrojë spitalet të përmbahen nga disa operacione të zgjedhura (jo urgjente)

Duke parë përkeqësimin e situatës me koronavirusin kantoni Vaud ka ngritur nivelin e alarmit dhe ka shpallur një “krizë kantonale”. Shkalla e mëparshme, që aplikohej para shpalljes së krizës quhej “sistemi nën tension”.

Kjo fazë e tashme, e tretë, nënkupton që “të gjithë aktorët e prekur të kujdesit shëndetësor duhet të përshtatin infrastrukturën dhe burimet e tyre të personelit”, transmeton albinfo.ch.

Këtë shpjegim e ka dhënë Departamenti i Shëndetësisë dhe Punëve Sociale (DSAS) për agjencinë e lajmeve Keystone-SDA, duke konfirmuar një informacion nga gazeta e përditshme “24 heures”.

Kjo do të thotë se kantoni, nëse është e nevojshme, mund t’i detyrojë spitalet të përmbahen nga disa operacione të zgjedhura (jo urgjente). Qëllimi është që ato të jenë në gjendje të trajtojnë pacientët me Covid-19.

Faza 3 gjithashtu i mundëson DSAS-it që t’u kërkojë institucioneve, veçanërisht shkollave në sektorin e shëndetësisë, të sigurojnë staf. Ky staf më pas mund të vendoset në objekte që kanë hasur në vështirësi, për shkak të mungesës së stafit të nevojshëm shëndetësor.