Shkurt.ch

Punëtorët nga Kroacia, përfundimisht të barabartë në tregun zviceran të punës

Me vendimin më të ri, punëtorët kroatë trajtohen përfundimisht në baza të barabarta me shtetasit e vendeve të tjera anëtare të BE/EFTA

Siç ishte komunikuar tashmë në fund të tetorit, punëtorët kroatë do të gëzojnë lirinë e plotë të lëvizjes e të punës në Zvicër, duke filluar nga 1 janari 2022.

Në mbledhjen e mbajtur më 3 dhjetor, Këshilli Federal miratoi rishikimin e pjesshëm përkatës të rregullores për lëvizjen e lirë të personave, e cila mundëson futjen e lirisë së plotë të lëvizjes për Kroacinë, transmeton albinfo.ch komunikatën e publikuar nga autoritetet federale zvicerane.

Protokolli III i Marrëveshjes për Lëvizjen e Lirë të Personave (FZA) me Bashkimin Evropian parashikon hapjen graduale të qasjes për punëtorët dhe ofruesit e shërbimeve nga Kroacia në tregun zviceran të punës.

Këshilli Federal kishte shfrytëzuar deri tani opsionin e parashikuar në protokoll, që nga hyrja në fuqi e tij më 1 janar 2017, për të mbajtur kufizime si numri maksimal i lejeve ose ekzaminimi paraprak i pagave dhe kushteve të punës për qytetarët kroatë.

Në mbledhjen e tij më 1 tetor 2021, Këshilli Federal vendosi të fusë në fuqi lirinë e pakufizuar të lëvizjes për Kroacinë, me fillim nga 1 janari 2022.

Bashkimi Evropian u informua për këtë vendim të Zvicrës në takimin e Komitetit të Përbashkët Zvicër-BE, të mbajtur më 22 tetor 2021, transmeton albinfo.ch. Kështu, punëtorët kroatë trajtohen në baza të barabarta me shtetasit e vendeve të tjera anëtare të BE/EFTA.

Në mbledhjen e 3 dhjetorit 2021, Këshilli Federal miratoi ndryshimet e nevojshme në urdhëresën përkatëse.

Por, edhe me këtë ndryshim, Zvicra rezervon mundësinë e ndërhyrjes. Kështu, nëse imigrimi i punëtorëve kroatë tejkalon një numër të caktuar, Zvicra mund të përdorë një klauzolë mbrojtëse dhe të kufizojë përsëri numrin e lejeve të punës për këta persona nga 1 janari 2023 dhe më së largu deri në fund të vitit 2026.

Për të shmangur ndonjë paqartësi eventuale, duhet të theksojmë se e drejta për qasje në tregun zviceran të punës u takon vetëm shtetasve të Kroacisë dhe jo të huajve që jetojnë dhe punojnë në Kroaci por nuk e kanë pasaportën kroate.