Integrimi

Mërgata shqiptare inkurajohet për pjesëmarrje aktive në politikën zvicerane

Në një debat publik të Partisë Socialdemokrate të Zvicrës që u mbajt në Cyrih, është lidhur drejtpërdrejt nga Kosova kryeministri Kurti dhe janë prezantuar 3 kandidatë shqiptarë për zgjedhjet komunale të Cyrihut

Në ambientet e ndërtesës “Volkshaus” në “Helvetia Plaz” të Cyrihut, më 27 nëntor 2021 u mbajt tubimi publik me temë “Participimi politik, me dhe pa të drejtë vote”, organizuar nga Partia Socialdemokrate e Qarkut 3 të Cyrihut.

Siç dihet, ky seksion i kësaj partie është forca aktive dhe e fortë për çështjet sociale dhe ekologjike në Qarkun 3. Demokracia jeton nga qytetarët që përfshihen në të, prandaj ky seksion kërkon përfshirje sa më të gjerë, qoftë si anëtarë ose simpatizantë të PS3.

Ndonëse në kushte pandemie, në tubim morën pjesë rreth 60 veta moshash, gjinish dhe kombesh të ndryshme, raporton albinfo.ch. Meqë në këtë tubim prezantoheshiun edhe kandidatë shqiptarë të kësaj partie për zgjedhjet e shkurtit 2022, i pranishëm ishte edhe shefi i Konsullatës së Kosovës në Cyrih, Shkëlqesia e Tij z. Sami Kastrati.

Në debat u trajtua mundësia e përfshirjes në votim e të gjithë atyre që nuk kanë të drejtë të votojnë për shkak të origjinës së tyre e që janë mbi 32% e popullsisë së qytetit të Cyrihut. Pra, duke pasur parasysh sfidat e mëdha të Cyrihut, të Zvicrës dhe të Evropës, është shumë e rëndësishme që të gjithë të prekurit të kenë të drejtën e votës dhe të mund të ngrihen për të drejtat e tyre.

Në një bashkëbisedim të panelistëve dhe pjesëmarrësve në tubim u ngrit çështja se si mund t’u ndihmohet komuniteteve pa të drejtë votimi, për të arritur më shumë pjesëmarrje, duke ravijëzuar pengesat për arritjen e këtij qëllimi.

Lidhur me këtë temë dhe për një bashkëpunim të mundshëm, nga Prishtina u lidh drejtpërdrejt edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti.

Ai iu drejtua të pranishmëve duke i falënderuar shumë për ftesën në këtë ngjarje të rëndësishme mbi rolin e votës së qytetarëve që jetojnë jashtë vendit të origjinës, pra në vendin e tyre pritës. “Është evidente që sot diasporat po luajnë një rol të madh në politikën e vendit pritës, në veçanti krahasuar me të kaluarën. Pjesëtarët e diasporës janë ura lidhëse ndërmjet vendit pritës dhe atij të origjinës, si dhe ndër vite kanë pasur një kontribut të veçantë për të promovuar demokracinë, sikurse atje ku jetojnë e punojnë ashtu edhe në vendet e tyre të origjinës. Andaj përmes pjesëmarrjes politike dhe aktivizmit politik, diasporat, bashkatdhetarët tanë apo më mërgata siç kemi qejf ne t’i quajmë më shumë i japin një funksion të veçantë qytetarisë aktive”, është shprehur kryeministri Kurti.

“Besoj shumë se e drejta e mërgatës për pjesëmarrje demokratike është një kusht themelor për integrimin politik. Fatkeqësisht shumica e vendeve ende i privojnë emigrantët nga e drejta për të votuar, pavarësisht politikave të avancuara të integrimit. Në këtë rast është e rëndësishme të theksoj se diasporat e formojnë një pjesë të madhe të bazës së komuniteteve të reja migrante nëpër vende të ndryshme të botës, dhe kjo reflekton edhe në diversitetin komunitar dhe krijimin e hisedarëve të rinj me ndikim politik në vendin pritës, krahas angazhimit politik transnacional në vendet e origjinës”.

Kurti, bashkatdhetarëve: “Dashuria juaj e pakushtëzuar për Kosovën nuk pati kushte e as rezerva”

Ndërsa, duke ju drejtuar bashkatdhetarëve, Kurti ka thënë se “në rastin tonë, çdoherë kur Kosova ka pasur nevojë ju keni qenë pranë saj. Dashuria juaj e pakushtëzuar për Kosovën nuk pati kushte e as rezerva, madje ju dëshmuat edhe në periudha të vështira sikurse kjo kur edhe vetë ndodheshit në të njëjtë pozitë. Në këto tri dekada në veçanti diaspora ka kontribuuar aktivisht dhe masivisht në ekonominë e vendit. Është pikërisht kjo mbështetja juaj e jashtëzakonshme e secilit prej jush që po e shtyn edhe qeverinë tonë t’i vazhdojë ndryshimet rrënjësore, pavarësisht sfidave politike, ekonomike dhe ato shëndetësore në të cilat ndodhet vendi ynë. Por, për ne angazhimi dhe integrimi juaj si komunitet në vendin pritës është jashtëzakonisht i vlefshëm, prandaj inkurajoj pjesëmarrjen tuaj aktive në jetën politike të vendit pritës si një hap i rëndësishëm drejt mirintegrimit. Integrimi politik është pjesë e rëndësishme e integrimit, dhe unë besoj në integrimin pa asimilim. Pra, është e mundshme që edhe të mos asimilohesh edhe të integrohesh, e me këtë integrim të kontribuosh edhe për vendin ku je, në këtë rast në Konfederatën Helvetike edhe për atdheun e juaj – Kosovën, por jo vetëm , sepse ndokush prej jush mund të jetë nga Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës, Mali i Zi apo edhe Shqipëria. Diaspora për neve ka një peshë të veçantë prandaj edhe kjo është reflektuar në kabinetin tonë qeverisës. Ne i kemi tre ministra në kabinetin tonë, të cilët praktikisht kanë ardhur nga bota e jashtme. E kemi ministren e Punëve të jashtme  dhe të Diasporës e cila njëkohësisht është edhe zëvendëskryeministre; e kemi ministrin e Mbrojtjes dhe e kemi ministrin e Shëndetësisë. Pra zonjën Gërvalla –Shvarc, po edhe zotërinjtë Mehaj dhe Latifi. Në këtë drejtim ne po punojmë ta fuqizojmë rolin ndërmjetësues të diasporës. Në takime të niveleve të larta tek vendimmarrësit politikë dhe korporatat e mëdha në vendet ku ata jetojnë, duke krijuar edhe mekanizma efektivë. Ne e shohim diasporën edhe si kapital human, përpos financiar. Për këtë arsye do të përqendrohemi në krijimin e një programi nacional, që në bazë ka transferin e dijes dhe të përvojës nga diaspora në Kosovë, citon albinfo.ch fjalën e kryeministrit Kurti.

“Qeveria që unë e drejtoj është duke punuar vazhdimisht të krijojë të gjitha kushtet për të investuar në atdhe dhe për transfer të dijes, por edhe për të adresuar problemet që qytetarët tanë i kanë në vendet pritëse. Unë jam shumë optimist që me qeverisjen tonë, me bashkëpunimin me  socialdemokratët zviceranë do të arrijmë që t’ua përmirësojmë edhe jetën, edhe punën edhe shqiptarëve në Kosovë dhe gjithë qytetarëve të tjerë, po njëkohësisht edhe të atyre të cilët janë në Zvicër. Në veçanti e falënderoj kryetarin Cèdric Wermuth i cili na ka mbështetur para më shumë se një dekade, edhe atëherë kur shumë të tjerë ose nuk na kanë njohur, ose kanë qenë skeptikë lidhur me neve. Dhe, më vjen mirë që aty i keni tre kandidatë tuaj të cilët jam i bindur që do ta përfaqësojnë zërin tuaj, por njëkohësisht edhe do t’i mbrojnë interesat tuaja edhe në kuptimin e parimeve dhe bindjeve, por edhe të sfidave, të cilat do të mund të na shfaqen në muajt dhe në vitet në vijim. Ju faleminderit për gjithë angazhimin dhe kontributin tuaj edhe për Kosovë edhe për Zvicër, në veçanti për fitoren tonë të madhe të shkurtit të këtij viti, për Lëvizjen tonë Vetëvendosje, dhe gjithmonë ju mirëpres me shumë dëshirë dhe kënaqësi kurdo që do të vini në vendlindje për, siç thuhet, çmallje dhe pushim”.

Arjeta Zuta

Së bashku me zonjën Arjeta Zuta, kandidate për Kuvendin Komunal në Cyrih, PS Qarku 3, e që ishte edhe moderatore e tubimit, në panel ishin edhe: Reis Luzhnica, deputet në Kuvendin Komunal në Cyrih, PS Qarku 3; Gadaf Muharemi, kandidat për Kuvendin Komunal në Cyrih, PS Qarku 3; Cèdric Wermuth, deputet në Kuvendin Nacional të Zvicrës dhe bashkëpresident i PS-së. Në tubim mori pjesë edhe z. Armend Muja, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje nga Kosova.

Wermuth: Shqiptarët i sheh në universitet, në kulturë, në mjekësisë… porse në politikë ende na mungojnë

Cedric Wermuth, bashkëkryetar i SP të Zvicrës

Në paraqitjen e tij, z. Wermuth u angazhua për mundësinë e përmirësimit të përfshirjes të sa më shumë emigrantëve në participimin politik, duke shikuar në rend të parë shanset e tyre profesionale për të qenë më të qasshëm dhe të dobishëm në shoqëri. “Pastaj, ne duhet ta ndërrojmë të drejtën e qytetarëve, pra ata duhet të bëhen sa më shpejt zviceranë, dhe e treta duhet shikuar që njerëzit të jenë të pranishëm në parti dhe në organizata civile, po ashtu edhe diaspora kosovare, pra ata që posedojnë pasaportën zvicerane, në mënyrë që të funksionojnë si shembull për angazhimin edhe të të tjerëve”, tha mes tjerash z. Wermuth.

Në pyetjen se a vlejnë edhe më tej paragjykimet për diasporën shqiptare, z. Wermuth tha se ato tashmë janë shumë më të reduktuara; më kujtohet përpara ka pasur shumë pllakate kundër kosovarëve dhe kjo ka qenë shumë keq, ndërkohë që tani ka ndërruar shumëçka për të mirë. Shqiptarët tashmë i sheh gjithandej të pranishëm: në universitet, në kulturë, në fushën e mjekësisë etj. porse në politikë ende na mungojnë.

Muja: diaspora merr pjesë me 38% në GDP të Kosovës

Më pas në foltore doli deputeti i LV nga Kosova, z. Armend Muja i cili mes tjerash tha se diaspora ka pjesëmarrje 38%  të GDP-së së Kosovës, dhe se 40% e këtij kontributi vjen nga Zvicra. “Vetëm dërgesat e remitencave, këtë vit, do të jenë 1.2 miliardë euro. 500 milionë prej tyre vijnë nga Zvicra. Dhe nuk është vetëm dërgesa e remitencave, sepse kësaj i shtohen edhe kontributet e tyre gjatë vizitave në Kosovë e që çon shifrën në 2.5 miliardë euro në dobi të ekonomisë së Kosovës, e që sipas bankës botërore kjo i shkon deri në 36% ekonomisë së Kosovës. Pak dihet në Kosovë për këtë kontribut jetësor për ekonominë e Kosovës dhe për shoqërinë e saj. E dyta, ne jemi një shtet i ri dhe si shoqëri dhe demokraci e re ne kemi mësuar shumë nga bashkatdhetarët që vijnë nga Zvicra, prandaj më lejoni që për këtë dhe për gjithë kontributin historik që e keni dhënë për Kosovën, por edhe për Maqedoninë, Preshevën dhe vendet tjera, t’ju falënderoj shumë. Njëkohësisht më lejoni që ta shfaq konsideratën më të lartë për shtetin e Zvicrës, për gjithë kontributin që e jep për Kosovën”. Deputeti Muja, si kryetar i Komisionit për buxhet njoftoi të pranishmit se para dy ditësh është aprovuar marrëveshja mes Kosovës dhe Zvicrës për zgjerimin e rrjetit të ujërave, që është një kredi dhe grant nga Qeveria zvicerane.

Sa i përket nevojës së participimit politik duhet tejkaluar reflektimin e perceptimit përjashtues. Sipas IOM-it në Zvicër janë rreth 275 mijë shqipfolës dhe se njëqind mijë nga këta janë nën 16-vjeç dhe rreth 20 mijë jetojnë në Kantonin e Cyrihut, dhe 32% nga këta nuk kanë të drejtë vote. Po ashtu z. Muja shprehu brengosjen e tij për mungesën e arsimimit të lartë të shqiptarëve në Zvicër. Ai tha se rreth 45% e bashkatdhetarëve tanë mbarojnë shkollën  e mesme, por që vetëm 7% arsimin e lartë e që është nën mesataren e zviceranëve. OECD mendon që është ligji i shtetësisë dhe reforma e tij si pengesë, sidomos fakti që dikujt i duhet të presë mbi 12 vjet jetesë në Zvicër para natyralizimit e që është një shkallë më e lartë se në vende të tjera të OECD-së. Pra, kjo është sfida më e madhe për pjesëmarrje në politikë. Në fund z. Muja theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes në politikë. Ai tha se në momentin kur ti integrohesh dhe kontribuon në ekonomi është e logjikshme që të kesh të drejtën që edhe të votosh dhe ta formësosh mjedisin ku ti kontribuon.

Flasin kandidatët shqiptarë për Asamblenë e Cyrihut: Reis Luzhnica dhe Gadaf  Muharremi

Reis Luzhnica dhe Cedric Wermuth

Të pranishmit i përshëndeti edhe Reis Luzhnica, aktualisht anëtar i Kryesisë dhe deputet në Kuvendin Komunal të Cyrihut për Qarkun 3. Ai do të kandidojë edhe për zgjedhjet e ardhshme të shkurtit. Ai që nga vera e fundit është asamblist në kuvend dhe synimet e tij janë që ta aktivizojë komunitetin shqiptar në jetën politike, që edhe zëri i tyre të dëgjohet këtu në Zvicër. Ai mendon se prania jonë në politikë është një favor, sepse kështu dëgjohet më shumë zëri ynë dhe ai ka peshë në shoqëri e në ligjbërje e në vendimmarrje.

Kandidati tjetër për zgjedhjet e ardhshme komunale, z. Gadaf Muharemi mendon se përfshirja e të rinjve tanë në politikë është i paktë në krahasim me kapacitetin dhe përqindjen e madhe të shqiptarëve që jetojnë, jo vetëm në Kantonin e Cyrihut, por në gjithë Zvicrën. Ai beson se me angazhimin e secilit të ri e të re, jo vetëm në PS, por në cilëndo parti qoftë, pjesëmarrja dhe angazhimi i tyre do të përfaqësonte mendimin dhe interesat politike të shqiptarëve. Zoti Gadafi thotë se në Partinë Socialdemokrate këtu në Cyrih kandidojnë gjashtë kandidatë, dhe se dy prej tyre janë me shanse të mëdha për zgjedhje, siç është Reis Luzhnica dhe vetë Gadafi. Po ashtu edhe nga Partia Liberale ka një kandidat shqiptar, që çon numrin në shtatë kandidatë shqiptarë për Kantonin e Cyrihut.

Gadaf Muharremi

Ai thotë se fillimisht ideja e tij për tu marrë me politikë ka qenë mundësia e integrimit sa më të madh të shqiptarëve, dhe pasi ka mbaruar shkencat politike ka hyrë drejtpërdrejt në politikë me qëllim të përfaqësimit të interesave të shqiptarëve në shtetin zviceran. Z. Muharemi angazhohet edhe për barazinë gjinore brenda politikanëve shqiptarë si dhe për trajtimin e personave me aftësi të kufizuara. Pra, janë këto dy tema mjaft të rëndësishme për të cilat z. Muharemi angazhohet brenda partisë së tij. Ai shprehet i kënaqur me bashkëpunimin që ka partia e tij me Lëvizjen Vetëvendosje, dhe se në PS është krijuar një bindje edhe më e madhe se angazhimi i shqiptarëve e forcon edhe më tej demokracinë ku është ai dhe shokët e tij aktivë, si dhe në mbarë shtetin zviceran.

Në pjesën e debatit z. Armend Muja premtoi se tash e tutje ligji zgjedhor do të reformohet në atë mënyrë që ju mundëson të votoni, jo vetëm në ambasada, por potencialisht edhe në mënyrë elektronike.

Debat me publikun

Në debat pati paraqitje edhe nga publiku. Ta zëmë: zonja Drita Berisha sugjeroi që të mos përdoret termi diasporë, por mërgatë ose atdhetar, sepse kështu po ndihemi disi si të humbur. Më tej ajo kërkoi nga deputeti Muja që politikanët në Kosovë të bëhen bashkë e të punojnë për të mirën e vendit, sepse të mirat e të këqijat nga atdheu reflektohen edhe te mërgata.

Domenica Priore tha se kemi paraqitur një peticion interesant, ç’është e vërteta banorët pa nënshtetësi zvicerane, pas qëndrimit të tyre prej pesë vjetësh, të kenë të drejtën aktive dhe pasive për votim e që do të jetë një stimulim i të huajve për angazhim në politikë.

Në këtë kontekst, deputeti dhe bashkëpresidenti i PS-së, z. Wermuth tha se ndryshimet rrjedhin nga niveli i integrimit të të huajve dhe në këtë pikë edhe shqiptarët kanë përparuar shumë. Dentisti ku unë i rregulloj dhëmbët është kosovar dhe kjo ka qenë e paimagjinueshme para pesë-gjashtë vitesh.

Për të zgjidhur problemet dhe për të realizuar synimet është fare thjeshtë, pra, duhet të mbështetni PS-në, të na zgjidhni ne kandidatët që të bëhemi më të fortë në bashkëpunim e në bashkëveprim, tha në fund kandidati për deputet në Kuvendin Komunal të Cyrihut Qarku PS 3, z. Gadaf Muharemi.

Rreth kësaj mbrëmjeje moderatorja, që është edhe kandidate për Kuvendin Komunal të Cyrihut, PS Qarku 3, zonja Arjeta Zuta thotë se ishte një tubim interesant ku u trajtua mundësia e participimit politik të shqiptarëve në Zvicër dhe falënderon të gjithë pjesëmarrësit.

Në fund të këtij tubimi organizatori kishte përgatitur një apero modeste në lokalet e ndërtesës “Volkshaus” në Cyrih.

Autori i Artikullit: Xhevdet Kallaba