Lajme
UHSH në Graz, më shumë se një shoqatë humanitare
Për të mësuar më shumë rreth Unionit Humanitar Shqiptar në Graz, albinfo.at ka biseduar me nënkryetarin e tij, z. Gani Maxhuni
Mërgata shqiptare është duke vazhduar rrugën e humanizmit të trashëguar nga nobelistja e paqes, Nënë Tereza. Këtë e tregon veç tjerash edhe Unioni Humanitar Shqiptar në Graz, një bashkësi njerëzish, të cilët merren me aktivitete të ndryshme humanitare dhe kulturore, duke u bërë dorë e zgjatur për të varfrit dhe të pastrehët. Për të mësuar më shumë rreth këtij unioni, albinfo.at ka biseduar me nënkryetarin e tij, z. Gani Maxhuni, inxhinier i Komunikacionit Rrugor.
Albinfo.at: Çfarë është Unioni Humanitar Shqiptar ?
Gani Maxhuni: Unioni Humanitar Shqiptar në Graz është shoqatë humanitare, e cila në gjirin e saj ka mbi 140 familje me mbi 500 anëtarë në Shtajermark (Steiermark), e tani edhe në tërë Austrinë. Quhet Union, sepse bashkon edhe shumë shoqata të tjera, të cilat merren me aktivitete sportive dhe kulturore, të cilat bashkërisht i koordinojnë aktivitetet e tyre. UHSH-ja është edhe pjesë e Këshillit Koordinues të Shoqatave të Shtajermark-ut që përbën njërin nga bordet e saj dhe është përgjegjëse për çështje humanitare. Sa i përket strukturës udhëheqëse, ajo përbëhet prej kryesisë së ngushtë pra, prej gjashtë anëtarëve, dhe kryesisë së zgjeruar nga të deleguarit e shoqatave dhe seksioneve në kuadër të unionit.
Cila është veprimtaria e këtij unioni ?
Veprimtaria primare e UHSH-së në Graz është transporti dhe ndihma rreth ceremonisë mortore të anëtarëve dhe familjeve të tyre dhe varrosja e tyre në atdhe. Ky union merret edhe me aksione të tjera humanitare për familjet në nevojë, në trevat shqiptare si dhe me aktivitete kulturore dhe sportive. Kemi anëtarë edhe nga republikat tjera austriake (jo vetëm Shtajermark) kurse transporti bëhet nga kompania „Funerali“ i Avni Elezit nga Gjermania.
Në të gjitha aktivitetet tona kemi përkrahje të plotë nga Ambasadat dhe Konsullatat e Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Shqipërisë në Austri.
Kur është formuar ky union?
Mërgimtarët në Graz, por edhe gjetiu, janë të organizuar në shumë shoqata, klube, lidhje etj., por asnjëra nga këto nuk kanë pas një punë të specializuar si ne për organizimin e bartjeve të kufomave për në atdhe edhe pse pothuajse që të gjitha kanë ndihmuar, por vetëm nga rasti në rast. Duke parë të nevojshëm një organizim më të mirë dhe me një kosto shumë më të ulët, një grup bashkatdhetarësh si: Ali Gashani, Mentor Gashi, Rifat Krasniqi, Raif Rexhepi, Avdyl Berisha etj, nisën këtë iniciativë të cilën e kurorëzuan në mars të vitit 2014 në kuvendin e mbajtur në shoqatën “Aleksandër Moisiu” në Graz. Aty morën pjesë 43 bashkatdhetarë. Në këtë kuvend u zgjodhën edhe kryesia me kryetar: Rifat Krasniqi, nënkryetar, Raif Rexhepi, sekretar Besnik Haziri si dhe anëtar të kryesisë, Ramiz Bashota, Hakif Grajçevci dhe më vonë edhe me të tjerë duke u konsoliduar në tërësi.
Cila është përfshirja e UHSH në Graz dhe më gjerë?
Unioni Humanitar Shqiptar ka një rritje të vazhdueshme. Në vitin 2014 kishte102 familje, kurse në vitin 2021 ka arritur të bëjë bashkë 158 familje jo vetëm në Graz dhe Shtajermark por edhe më gjerë. Në këtë drejtim rol të rëndësishëm luan edhe aktiviteti i përgjithshëm i unionit me shoqatat e ndryshme në organizimin e aktiviteteve sportive dhe kulturore. Vlen të përmendet turniri në futboll të vogël “Takimi i gjeneratave” që u mbajt për nder të „2 Korrikut“ më 4 korrik të vitit 2020 në të cilin morën pjesë 16 ekipe nga e tërë Austria. Të pranishëm ishin mbi 350 shikues. Ky turnir do të jetë tradicional me muzikë dhe ushqime tradicionale shqipe.
Përveç ndihmave bazë me të cilat merreni, a ndihmoni edhe në forma të tjera?
Po, është viti i shtatë nga themelimi i UHSH-së në Graz dhe deri më tash kemi transportuar mbi 20 mërgimtarë për në vendbanimin e fundit ne atdhe (anëtarë dhe joantarë të UHSH). Pastaj, kemi ndihmuar rreth 62 familje skamnore me nga 300 deri në 700 € .Përfitues të këtyre ndihmave kanë qenë familje nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës. Përveç ndihmave të rregullta, ne kemi ndihmuar edhe në raste të fatkeqësive natyrore, si për shembull me rastin e vërshimeve në Shqipëri (nëntor, 2017) ku kemi ndihmuar me 1000 € donacion, pastajme rastin e tërmetit në Shqipëri (26 nëntor 2019) kemi dërguar 22.500 € në fondin për emergjenca të Shqipërisë. Në këtë aksion kanë qenë të përfshira shoqatat: “Belushi”- Graz, “Kastrioti”- Graz, “Arbëria”-Weiz, “Dardania”-Knittelfeld, “Iliria”-Hartberg, grupi “THeranda”, grupi “Florent Tafili” si dhe KKSHSH-ja.
Me rastin vërshimeve në Kosovë së fundmi u ndihmuan 8-të familje në Kosovë me nga 300-500 €, dy familje nga Drenasi, dy nga Malisheva, dy nga Mitrovica, dhe nga një familje nga Rahoveci dhe Vushtrria.
Unioni Humanitar Shqiptar në Graz ka ndërtuar edhe një shtëpi në Klinë të Ulët të Skenderajt. A mund të na thoni më tepër rreth kësaj?
Ka qenë një projekt mjaft i madh për ne, por me ndihmën e të gjithë bashkatdhetarëve të përfshirë në shoqata, biznese dhe persona individual arritëm të përfundojmë këtë projekt madhor në të cilën ishin të përfshirë 98 individë dhe 13 biznese. Zgjedhja se kujt do t‘i ndërtohet shtëpia u bë gjatë koncertit të organizuar nga UHSH-ja për Ditën e Flamurit, me 28 nëntor, kur, me short nga rreth 400 të pranishmit në sallë, fati buzëqeshi për Skenderajn. Një delegacion nga Austria në krye me kryetarin e atëhershëm Rifat Krasniqi dhe Fatmir Osmani udhëtoi në Skenderaj ku në shoqërim të kryetarit të komunë së Skenderajt z. Bekim Jashari më 3 Qershor 2019 ju dorëzuan çelësat e kësaj shtëpie qytetarit në nevojë nga Klina e Ulët e Skenderajt.
Ajo që bie në sy te kjo shoqatë është se ju merreni me aktivitete të larmishme, të gjitha në funksion të forcimit të fondit të bamirësisë, apo jo?
Natyrisht, e gjithë puna që bëhet e ka për qëllim forcimin e fondit tonë dhe në këtë drejtim kemi bërë shumë organizime të ndryshme: Katër turnirë në futboll të vogël, dy turnirë në shah, dy koncerte humanitare, promovime librash siç ishin ato nga Berat Luzha, Nuhi Bytyqi, Basri Pllana etj. Gjithashtu UHSH-ja ka themeluar dhe udhëhequr nën drejtimin e z.Rifat Krasniqi ekipin në futboll të vogël duke arritur suksese të mëdha në ligën regjionale austriake (Dy herë kampion dhe një herë nën kampion).Thënë në përgjithësi ne merremi me një kolorit aktivitetesh për të ardhur deri te ndihma për ata që kanë nevojë si dhe për të begatuar jetën e mërgimtarëve këtu në Graz dhe rrethinë.
Box
Një urë lidhje mes atyre që kanë nevojë dhe atyre që ndihmojnë
Në Kuvendin e dytë të UHSH-së, të mbajtur në mars të vitit 2020, është zgjodhur kryesia e re në këtë përbërje: kryetar Raif Rexhepi, nënkryetar Gani Maxhuni, sekretar Met Lajçi, zv.sekretar Ali Gashani, arkatar Gazmend Zhitia, dhe anëtarë të kryesisë: Ilir Bajrami, Ramiz Bashota, Enver Maxhuni, Remzi Feka dhe Fisnik Grezda. Kryesia e re ka paraqitur një plan konkret (të përpiluar nga Gani Maxhuni) rreth masivizimit të mëtejmë të UHSH-së nëpër seksionet e ndara në kuadër të këtij unioni. Ne i mbetemi besnik qëllimit tonë që t‘ju gjendemi njerëzve në nevojë për aq sa kemi mundësi, duke u bërë urë lidhëse në mes atyre që ndihmojnë dhe atyre që kanë nevojë. Përveç se jemi shoqatë humanitare ne mundohemi të organizojmë më mirë jetën e mërgimtareve dhe fëmijëve të tyre, prandaj ftojmë për bashkëpunim dhe përkrahje për të rinjtë, nxënësit duke ju ndihmuar konkretisht me kurse falas për gjuhën shqipe, gjuhën gjermane, anglisht, matematikë, e të tjera.
E-Diaspora
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë Festa e shoqatës “Bashkimi" nga Usteri kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë...
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
-
Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Jeta në Zvicër
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës. Të mërkurën, ajo i kërkoi...
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes
-
Gjeneva shtyn afatin e pagesës pas rritjes masive të taksës së makinave
-
Gjykata Federale e njeh obezitetin si paaftësi në kushte të caktuara
-
Zvicra, kampion evropian në transportin hekurudhor