Lajme

Kurti: Kosova do t’i afrohet Kroacisë me rritje ekonomike

Shefi i ekzekutivit të vendit, Albin Kurti i ka quajtur ogurzeza paralajmërimet për rritje çmimesh. Sipas tij, rritja dyshifrore ekonomike është lajmi që i frikëson të gjithë armiqtë e Kosovës. Ai po beson se nëse vazhdohet me këtë rritje ekonomike do t’i afrohet edhe Kroacisë.

Pas mbledhjes së Qeverisë, kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se ky vit ka qenë me shumë shpresë dhe optimizëm për qytetarët, duke rezultuar edhe me rritje ekonomike.

“Duke u bazuar në të dhënat e BQK-së, ekonomia e vendit tonë sivjet do të rritet për 9,9 për qind. Pra, praktikisht për herë të parë do të kemi rritje dyshifrore të përqindjes së bruto-produktit vendor për ekonominë tonë. Këtë vit, Kosova e ka filluar me një tkurrje ekonomike prej 3,1 për qind sipas Bankës Botërore, e tash sipas BQK-së do të arrijmë realisht në rritje dyshifrore apo 10 për qind”, ka thënë Kurti.

Sa i përket blerjes së ambasadave, shtoi se për shkak të mundësisë së rritjes së çmimit, nuk mund të paralajmërojnë se në cilin qytet do të blejnë ambasadat.

“Ne po i ndajmë 10 milionë, por këtë për vitin e ardhshëm. Dhe do ta shohim se çka është më së miri të blejmë prej ambasadave në vendet aleate. Nuk do të mundemi të përfshijmë shumë ambasada në këtë vitin e parë, mirëpo nuk mjaftohemi më me një ambasadë të vetme që është nën pronësinë të Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Belgjikës në Bruksel. Ngadalë për sigurt e që besa edhe jo aq ngadalë, do të fillojmë me blerjen e këtyre ambasadave në vendet mike. Mirëpo, nuk është mirë ta paralajmërojmë një ambasadë të caktuar sepse çfarëdo paralajmërimi ty ta ngrit çmimin për atë që do të bësh. Nëse unë do të thosha tash që në këtë filan qytetit po e blejmë ambasadën, automatikisht do ta blesh më shtrenjtë se që ke pritur”, ka deklaruar Kurti.

Kryeministri Kurti i ka quajtur ogurzeza paralajmërimet për rritje çmimesh.

“Të gjitha këto paralajmërimet ogurzeza për rritje të çmimeve kanë efekte negative dhe kanë për synim prej dikujt edhe të ngjallin panik. Rritja ekonomike tek ne ka ndodhur për shkak se qytetarët kanë shpresë e mendojnë të ardhmen më të mirë se të tashmen. Dhe më shumë preferojnë të shpenzojnë se sa të kursejnë. Kur e mendon të ardhmen më të errët sesa të tashmen preferon të kursesh për ditë të zeza, ndërkaq kur e mendon të ardhmen më të ndritshme se të tashmen preferon të shpenzosh sepse ka parashikueshmëri pozitive dhe nuk ka rrezik negativ. Kundërshtarët e Kosovës kanë interes që qytetarët të mos shpenzojnë por të kursejnë”, ka deklaruar Kurti para gazetarëve.

Ndërkaq shtoi se të gjithë po i frikësohen rritjes ekonomike dyshifrore, ku theksoi sedo t’i afrohemi Kroacisë nëse vazhdojmë me këtë rritje ekonomike.

“A e dini çfarë do të thotë nëse përgjatë viteve të kësaj dekade ne vazhdojmë me rritje ekonomike prej 10 për qind? Ne do i afrohemi Kroacisë. Nëse vazhdojmë vit pas viti me këtë rritjen 10 për qind që është e pashembullt në Ballkan ne do t’i afrohemi vendit që së fundmi iu bashkua BE-së”, tha Kurti.