Integrimi

Një shqiptar në mesin e krerëve të skeptikëve të koronës në Zvicër

Në mesin e atyre që u prezantuan në këtë konferencë ishte edhe 31 vjeçari shqiptar Gzim Zymberi i cili përfaqëson lëvizjen "Mass-Voll"

Organizatat që tubojnë skeptikët e koronës, si “Miqtë e Kushtetutës”, Rrjeti i Vendimit rreth Vaksinimit, lëvizja “Mass-Voll” dhe aleanca e “kantoneve të vjetra” kanë mbajtur konferencën e tyre për media, për të prezantuar iniciativën e tyre kundër ligjit të ri Covid.

Në këtë iniciativë nuk është përfaqësuar SVP, e cila është e vetmja parti e madhe që ka refuzuar ligjin, raporton 20minuten.ch.

Dy ditë më parë është njoftuar gjithashtu se edhe një komitet tjetër po lufton ligjin – i quajtur çuditërisht “Të vaksinuarit kundër ligjit Covid”, anëtarja më e njohur e të cilit është shkrimtarja Sibylle Berg.

Ligji do të votohet më 28 nëntor.

Në mesin e atyre që u prezantuan dhe mbajtën fjalime në këtë konferencë ishte edhe 31 vjeçari shqiptar Gzim Zymberi, shkruan albinfo.ch.

Ai është një fytyrë e re në mesin e kritikëve të strategjisë së Këshillit Federal dhe përfaqëson lëvizjen “Mass-Voll”, të rinjtë dhe “Secondo-t”. 31-vjeçari nga Usteri i Cyrihut është bërë anëtar i bordit të organizatës “Mass-Voll” që nga maji i vitit 2021 dhe punon me orar të plotë si nëpunës shitjesh në  Entin e Botimit të Mjeteve Mësimore të Cyrihut (Zürcher Lehrmittelverlag).

Zymberi ka ardhur nga Kosova në Zvicër në moshën pesëvjeçare, me prindërit, dy motrat dhe një vëlla.

Në fjalën e tij para mediave ai veç tjerash ka thënë:  “Bëhet fjalë për të rinjtë. Atyre u janë grabitur perspektivat e tyre dhe, për pasojë, vuajnë jashtëzakonisht shumë”, transmeton albinfo.ch.

Zymberi e ka theksuar se këtë po e sheh edhe në mjedisin e tij të punës. Shumë praktika (formime profesionale) është dashur të anulohen sepse ekonomia po vuan nga masat e koronës. Pastaj këtu hyn edhe detyrimi për mbajtje të maskës në shkolla dhe kështu me radhë.

Ai kishte ardhur dikur në Zvicër, në këtë vend të sigurt dhe të lirë, dhe tani dëshiron të punojë për liri, ka thënë veç tjerash Gzim Zymberi.

Duhet thënë se prania e shqiptarëve në mesin e skeptikëve të koronës në Zvicër është theksuar edhe më parë, në raste të ndryshme, shkruan albinfo.ch. Kështu, veç tjerash, në një marsh protestues të mbajtur të premten e kaluar në Bazel, krahas flamurit zviceran dhe atyre të kantoneve, u pa edhe një flamur shqiptar, si i vetmi, i huaj, siç mund të shihet në foton më poshtë.