Tematike

Kështu do të merrni në të ardhmen pasaportën zvicerane në Cyrih

Parlamenti i Kantonit të Cyrihut ka miratuar kriteret e reja për natyralizimin e të huajve. Por këto kritere janë shumë të "buta" për SVP-në prandaj ajo ka shpallur referendum

Kosovarit Mërgim Ahmeti i qe refuzuar pasaporta zvicerane sepse ai nuk mund të listonte emrat e kafeneve të fshatit nga Montlingen në St. Gallen, shkruan gazeta Tages Anzeiger. Komuna Freienbach në Schwyz nuk donte të natyralizonte britanikun David Lewis sepse ai nuk e dinte nga vjen racleta ose çfarë janë kapunët (emra gjellërash), transmeton albinfo.ch. Dhe ndonjëherë ndodh që dikush të mos marrë pasaportën zvicerane, thjesht, sepse fqinjët mendojnë se personi “nuk e meriton” atë (kështu ka ndodhur me një gjerman nga komuna Neerach në Cyrih).

Ajo që dihet është se çdokush që dëshiron të natyralizohet në Zvicër duhet të kapërcejë një numër pengesash. Ata të gjithë duhet të dëshmojnë se janë të integruar mirë në Zvicër, si të huaj. Por se çfarë do të thotë saktësisht “të jesh i integruar” është diçka subjektive. Deri në vitin 2018, u takonte komunave dhe kantoneve të vendosnin për këtë çështje, prandaj rocedura e natyralizimit trajtohej gjithkund dryshe.

Qeveria Federale ishte në dijeni të kësaj, prandaj, në vitin 2018 ajo ka rishikuar ligjin për të drejtat civile. Ligji përcakton kriteret themelore uniforme për natyralizimin.

Megjithatë, Qeveria Federale u jep kantoneve një liri veprimi. Ato mund të përcaktojnë vetë disa nga kriteret, për shembull nëse periudha minimale e qëndrimit në kanton duhet të jetë dy ose, me më shumë gjasa, pesë vjet. Këtë të hënë, debati për ndryshimet kantonele në ligjin për të drejtat civile ka hyrë në raundin e dytë në Parlamentin Kantonal të Cyrihut, përcjell albinfo.ch.

Parlamenti Kantonal bazohet në pjesën më të madhe në propozimin e hartuar nga Qeveria Federale kur bëhet fjalë për ligjin e ri. Për të gjithë ata që duan të bëhen banorë të Cyrihut, dy gjëra në veçanti do të ndryshojnë (kjo u bë e njohur në raundin e parë të debateve):

Cyrihu dëshiron të marrë masa më të rrepta kundër të rinjve kriminelë. Çdokush që ka kryer shkelje të vogla si vjedhje dyqanesh si adoleshent mund të aplikojë për natyralizim jo më pak se dy vjet pas aktit. Ndërsa një periudhë deri në pesë vjet pritjeje zbatohet për krimet e rënda si grabitja. Kjo është pika e vetme ku Cyrihu shkon më tej se Qeveria Federale.

Po kështu, me ligjin e rishikuar, testi i njohurive bazë duhet të standardizohet me një test kantonal. Kjo do të thotë që në të ardhmen aplikantët do të duhet të mësojnë më shumë për gjeografinë, politikën dhe sistemin arsimor në nivel kantoni, transmeton albinfo.ch. Këtu gjithashtu përfshihen ngjarjet kryesore historike në kantonin e Cyrihut. Në parim, i njëjti profil kërkese vlen si për njohuritë bazë të Zvicrës. Nga ana tjetër, dëshmia e njohurive bazë në nivel komune do të hiqet në të ardhmen, pra, nuk do të jetë kriter.

Si funksionon mnatyralizimi në Kantonin e Cyrihut?

Ju duhet t’i plotësoni këto kritere

Në parim: Vetëm ata që kanë leje qëndrimi të përhershëm (Vizën C) mund të natyralizohen. Përveç kësaj, personi duhet të ketë jetuar në Zvicër për të paktën dhjetë vjet, përfshirë dy vjet në komunën aktuale. Për personat nën moshën 25 vjeç, qëndrimi dyvjeçar në kanton është i mjaftueshëm. Kjoështë vendosur nga Parlamenti Kantonal në raundin e parë të debatit.

Më tutje, aplikanti duhet të jetë “i njohur me mënyrën e jetës zvicerane”, të ketë njohuri themelore për kushtet gjeografike, historike, politike dhe sociale në kanton dhe komunë dhe të jetë në gjendje të marrë pjesë në jetën ekonomike lokale.

Po ashtu, duhet të përmbushen edhe disa kërkesa personale. Personi, për shembull, duhet të ketë njohuri të mjaftueshme të gjuhës gjermane (niveli B1 me gojë dhe A2 me shkrim), nuk duhet të ketë precedentë penalë, të mos ketë marrë ndihmë sociale dhe duhet të ketë paguar të gjitha faturat “e rëndësishme” siç janë taksat, qiraja, shëndeti primet e sigurimit, gjobat dhe pagesat e mirëmbajtjes.

Kështu kontrollohet plotësimi i kritereve

Kantoni përdor regjistrimet nga regjistri civil për të kontrolluar nëse aplikanti i plotëson kriteret. Personi që do të natyralizohet duhet të dorëzojë ekstrakte nga përmbarimi i borxhit, ekstrakte nga të dhënat penale, dëshmi të kohëzgjatjes së qëndrimit, detaje rreth pronës, letra rekomandimi nga qytetarët zviceranë dhe shumë më tepër.

Komuna e banimit vendos nëse njohja e gjuhës gjermane është e mjaftueshme. Një vërtetim i gjuhës ose raporti i shkollës është i mjaftueshëm si dëshmi. Komuna është gjithashtu përgjegjëse për t’iu përgjigjur pyetjes nëse janë të mjaftueshme njohuritë themelore gjeografike, historike, politike dhe sociale. Personi që do të natyralizohet është i ftuar në një intervistë në të cilën ai u përgjigjet pyetjeve në lidhje me zakonet kantone dhe lokale. Po ashtu duhet të tregojë se është aktiv në jetën shoqërore dhe kulturore të komunitetit. Megjithatë, këtu nuk ka rregullore uniforme, disa komuna janë dukshëm më të rrepta se të tjerat.

Sa duhet të paguani për natyralizimin

Kostoja e pasaportës zvicerane përbëhet nga tarifat federale, kantonale dhe komunale. Sekretariati Shtetëror për Migracionin ngarkon 100 franga për të rriturit dhe 50 franga për të miturit. Në kanton, kërkohen 500 franga shtesë për personat mbi 25 vjeç dhe 250 franga për të rinjtë.

Pastaj janë tarifat komunale, të cilat ndryshojnë shumë nga komuna në komunë. Për shembull, qyteti i Cyrihut ka vendosur këtë vit që aplikantët nën moshën 25 vjeç të mos paguajnë më tarifa komunale. Shtetasit e huaj mbi 25 vjeç, nga ana tjetër, duhet të japin 1.200 franga nëse nuk kanë lindur në Zvicër.

Aplikanti gjithashtu duhet të përballojë shpenzimet për testin e gjermanishtes. Në përgjithësi, natyralizimi në Cyrih mund të kushtojë midis 2000 dhe 4000 franga (në varësi të bashkisë dhe moshës së aplikuesit). PS dhe të Gjelbërit donin të hiqnin plotësisht tarifat në nivel kantonal dhe komunal, por dështuan.

Këto organe vendosin nëse mund të merrni pasaportën

Në varësi të komunës, kuvendi komunal, parlamenti komunal, këshilli bashkiak ose një komision special për të drejtat civile do të vendosë nëse do të bëheni zviceranë. Në katër nga pesë komunat e Cyrihut, kërkesat përpunohen nga autoriteti ekzekutiv, domethënë këshilli bashkiak ose komisioni për të drejtat civile. Në komunat e tjera, vendos legjislatura, pra kuvendi komunal ose parlamenti.

Ende zhvillohet një debat publik nëse aplikantit për pasaportë, lidhur me përshtatshmërinë e pyetjeve personale drejtuar aplikantit. Kjo praktikë ka çuar në arsye kurioze pse një person nuk duhet të marrë një pasaportë zvicerane dhe kryesisht është ndërprerë, përcjell albinfo.ch. Kjo u soll nga një vendim i Gjykatës Federale në vitin 2003. Nëse një komunë nuk dëshiron të natyralizojë një të huaj sepse ai di shumë pak për racletën, tani aplikanti mund të apelojë. Nëse arsyeja e refuzimit nuk është e vlefshme, ai do të natyralizohet pavarësisht vullnetit të bashkisë.

Votimi përfundimtar mbi ligjin e ri për të drejtat civile duhet të bëhet pas rreth katër javësh, dhe ka mundësi do të miratohet. Por është e dyshimtë nëse vërtet do të hyjë në fuqi. SVP tashmë ka shpallur një referendum sepse i konsideron shumë të dobëta kriteret s Nëse kjo ndodh, elektorati i Cyrihut do të ketë fjalën e fundit.