Lajme

Një në dhjetë zviceranë fitojnë më pak gjatë pandemisë

Pandemia Covid-19 ka zvogëluar të ardhurat e 11.3% të popullsisë zvicerane, sipas statistikave zyrtare.

Ndikimi negativ mbi pagat ka qenë veçanërisht i rëndë për punëtorët me të ardhura të ulëta (20%) dhe të huajt që jetojnë në Zvicër (17%).

Më shumë se një e treta e njerëzve që punojnë në sektorët e hotelierisë kanë parë një rënie të të ardhurave. Këto pjesë më të pafavorizuara të shoqërisë gjithashtu kishin më pak mundësi për të punuar nga shtëpia, sipas një studimi të publikuar të mërkurën nga Zyra Federale e Statistikave (FSO), përcjell albinfo.ch.

Anasjelltas, përqindja e njerëzve që thonë se mund t’ia dalin mbanë është rritur nga 48% në 58%. FSO beson se kjo ndodh, sepse shumë njerëz kanë shkurtuar shpenzimet, veçanërisht në aktivitetet e kohës së lirë. Gjetjet nxjerrin në pah shqetësimet që elita e botës ka fituar nga Covid-19, duke krijuar një hendek më të gjerë pabarazie mes tyre dhe atyre që filluan pandeminë me nivele të ulëta pasurie, përcjell tutje albinfo.ch.