Financa

Musk e kalon Bezos, bëhet njeriu më i pasur në planet

Cilët janë këta njerëz super të pasur dhe cili është burimi i pasurisë së tyre?

Vlera neto e kombinuar e 10 njerëzve më të pasur të planetit është 1.4 trilionë dollarë. Për të krijuar një ide është pak a shumë me të njëjtën madhësi të PBB-së së Australisë.

Cilët janë këta njerëz super të pasur dhe cili është burimi i pasurisë së tyre? Më poshtë është një vështrim i 10 njerëzve më të pasur në planet dhe se si i kanë fituar miliardat e tyre, shkruan Monitor, transmeton albinfo.ch.

Cilët janë ata që bëjnë pjesë në klubin 100 miliardë dollarësh?

Aktualisht, Elon Musk është më i pasuri i të gjithëve, me vlerë neto totale 198 miliardë dollarë. Bëhet fjalë për 60 miliardë dollarë më shumë krahasuar me mesataren e gjithë grupit prej 138 miliardë dollarësh. Kjo nuk është befasuese nëse marrim në konsideratë ecurinë e mirë të aksioneve të Tesla në vitet e fundit.

Ndërkohë që shumë skeptikë presin që flluska e Tesla-s të shpërthejë – duke përfshirë edhe investitorin e famshëm Michael Burry – vlera e shoqërisë automobilistike vijon të rritet.

Me tregun aktual të kapitalizimit prej 768 miliardë dollarësh, Tesla vlen më shumë se 6 prodhuesit më të mëdhenj të automobilave së bashku.

Musk i zuri vendin Jeff Bezos, i cili vetëm pak muaj më parë mbante titullin e njeriut më të pasur në botë. Megjithatë vlen të theksohet se gjërat mund të ndryshojnë sa hap e mbyll sytë, duke qenë se dy miliarderët qëndrojnë vazhdimisht pranë.

I treti në renditje është Bernard Arnault, CEO i konglomeratit të markave luksoze Louis Vuitton Moët Hennessy (LVMH), i cili zotëron Louis Vuitton, Dior, Fendi, Loro Piana dhe Bulgari. Arnault është njeriu më i pasur në Evropë, dhe në të vërtetë për një periudhë të shkurtër në maj u bë dhe njeriu më i pasur në botë.

Nëse i hedhim një sy klasifikimit, dalin në pah dy tendenca të dukshme:

  • Pjesa më e madhe e këtyre miliarderëve bëjnë pjesë në sektorin teknologjik, përveç Bernard Arnault e Ëarren Buffett
  • Të gjithë njerëzit më të pasur (burra) jetojnë në Amerikë, përveç Arnault.

Duke marrë në konsideratë se sektori teknologjik amerikan është i destinuar të rritet në vitet e ardhshme, ka shumë gjasa që miliarderët teknologjikë amerikanë do të vijojnë dominimin e tyre në të ardhmen e afërt.