Maqedonia

Maqedonia e Veriut: Dozë e tretë e vaksinës për grupet e rrezikuara

Në Maqedoninë e Veriut më 27 shtator nisi dhënia e dozës së tretë të vaksinës kundër koronavirusit për grupe të caktuara të shoqërisë.

Dozën e tretë të vaksinës Pfizer do ta marrin të gjithë punonjësit shëndetësorë, personat me sëmundje kronike dhe ata me imunitet të dobët, si dhe personat mbi 60 vjeç, të cilët kanë marrë dy doza të paktën gjashtë muaj më herët.

Hamdi Lutfiu, mbi 70 vjeç, thotë për Radion Evropa e Lirë se me dozën e tretë do ta marrë gjatë vitit të ardhshëm. Sipas tij, problem tani paraqitet mbingarkimi i sistemit shëndetësor.

“Për shkak të mungesës së terminëve të lirë, shumë vonë mund të arrish te mjeku dhe ai nuk mund të të ndihmojë. Shto këtu edhe infeksionin e mundshëm (me koronavirus), që mund të jetë fatale”, thotë ai dhe shton se përveç marrjes së dozës së tretë, duhet të respektohen në përpikëri masat, pasi ai pohon se ndihet i rrezikuar nga personat që nuk mbajnë maskë e as distancë fizike.

Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se qytetarët me dozën e tretë do të vaksinohen vetëm me vaksinën e kompanisë Pfizer, pavarësisht nëse dy dozat e para i kanë marrë të ndonjë kompanie tjetër./REL