Lajme

Çmimi i gazit shënon rekord në Evropë

Ka mungesa të rezervave të gazit në Evrope që vështirë mund të kompensohen

Çmimet e gazit natyror në Evropë, që po arrijnë nivele të larta për shkak të mungesës së furnizimit, mund të rriten më tej në të ardhmen e afërt, deklaroi presidenti i Gazprom-it rus, Aleksey Miller.

“Evropa po hyn në periudhën vjeshtë-dimër me mungesa të konsiderueshme të gazit natyror në objektet e deponimit nëntokësor”, tha Miller në Kongresin Ndërkombëtar të Tregtisë, në Moskë, transmeton AA, përcjell Albinfo.ch.

“Të gjithë ekspertët në Evropë dhe Azi thonë se kjo mungesë në objektet nëntokësore të deponimit të gazit në Evropë nuk mund të kompensohet”, shtoi ai.

Miller vuri në dukje se gjiganti rus i gazit, Gazprom, do të ketë gaz të mjaftueshëm për 100 vjetët e ardhshme, duke pasur parasysh se Rusia zotëron rezervat më të mëdha të gazit natyror në botë.

Çmimet evropiane të gazit natyror në Ndërmarrjen Holandeze të Transferimit të Drejtës së Pronësisë (TTF) kapën nivele të larta rekord të mërkurën, duke arritur në 77 euro për megavat/orë.