Kosova

Rritje e çmimeve të konsumit në Kosovë

Sipas statistikave, shporta e konsumatorit është bërë më e shtrenjtë në Kosovë.

Të dhënat e muajit gusht 2021, të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, tregojnë se ka pasur rritje të inflacionit mujor dhe vjetor. Inflacioni mujor ishte më i lartë në një mesatare prej 1.2% në gusht 2021, krahasuar me korrikun 2021. Por, norma vjetore e inflacionit e matur në gusht të 2021 krahasuar me gushtin e vitit të kaluar, ishte më e lartë në një mesatare prej 4.7%.

Ndërkohë të gjithë artikujt, kryesisht ushqimorë, kanë pasur rritje të çmimit. Në gusht 2021, çmimi i bukës dhe drithërave u rrit me 1.9%, i djathit dhe i vezëve me 7.4%, e rritje shumë më të madhe patën vajrat dhe yndyrat ushqimore me 28.5%, krahasuar me çmimet që kishin në gusht të vitit 2020. Pra, as 8 euro e 94 centë nuk do t’i mjaftojnë një konsumatori në Kosovë t’i blejë këto 4 produkte, të cilat i blinte edhe më lirë vite më parë.

Si qëndroi inflacioni ndër muaj gjatë vitit 2021?

Kur i analizojmë të dhënat e tetë muajve të kaluar të vitit 2021, sa i përket indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit, e shohim se në pesë muaj ka pasur rritje të inflacionit. Ndërsa, ishte muaji qershor i vetmi që nuk kishte ndryshim të inflacionit mujor, megjithatë inflacioni vjetor me qershorin e 2020 ishte 2.4%.

Por pse u ngritën çmimet?

Në gusht të vitit 2021, çmimet e konsumit në vendin tonë u rritën për 4.7%. Por kjo rritje nuk ishte vetëm në Kosovë. Në muajin gusht 2021, inflacion vjetor shënuan edhe vendet e rajonit, ku Shqipëria pati ngritje të çmimeve me 2.4%, Mali i Zi me 3.1%, Maqedonia e Veriut me 3.6%, derisa Serbia shënoi inflacionin më të lartë në rajon për këtë periudhë me 4.3%.

Rritje të çmimeve të konsumit patën edhe shtetet e tjera, nga të cilat vendi ynë importon sasi të lartë të produkteve të ndryshme. E meqë Kosova ka bilanc negativ, pra importon më shumë sesa eksporton, kushtimisht i bie se edhe inflacionin e kemi të importuar.

Rritja e inflacioni gjithandej globit, sipas Forbes, vjen si rezultat i hapjes së ekonomisë pas futjes në kontroll të pandemisë – e cila çoi në rritje të kërkesës nga konsumatorët, plus kufizimet e zinxhirit të furnizimit. Kjo shpjegohet me atë se shumë kompani përballen me vështirësi në gjetjen e lëndës së parë si dhe fuqisë punëtore për të prodhuar produktet e tyre. Gjithë kjo e shoqëruar me rritjen e kërkesës së konsumatorit, përbën katalizatorët kryesorë të rritjes së inflacionit.

Në vitin 2020, norma e inflacionit në të gjithë botën arriti në afërsisht 3.2 për qind në krahasim me vitin paraprak. Inflacioni shpesh përcaktohet si një rritje e vazhdueshme e nivelit të përgjithshëm të çmimeve të mallrave dhe shërbimeve. Megjithatë, pritjet e ekonomistëve janë që inflacioni në 2021 të zbutet pasi të lehtësohen pengesat kyçe, por prapë do të jetë më i lartë se mesatarja e viteve 2016-19, para pandemisë. Me pak fjalë, inflacioni më i lartë ka të ngjarë të qëndrojë me ne edhe për një kohë. /Telegrafi