Integrimi
Studentët shqiptarë në Vjenë, letër të hapur ministres së Arsimit të Kosovës
"Komuniteti i studentëve shqiptarë në Vjenë dhe Austri, si njëri ndër grupimet më të mëdha të studentëve shqiptarë në botë, duhet të trajtohet me një kuotë të caktuar bursash dhe mbështetjeje financiare"
Shoqata e Studentëve Shqiptarë në Vjenë, “Societas Albania”, i është drejtuar ministres së Arsimit të Kosovës me një letër të hapur, përmes të cilës i kërkon mbështetje dhe lehtësime institucionale për studentët nga Kosova.
Në këtë letër, shoqata e përmendur prezanton vështirësitë me të cilat ballafaqohen studentët shqiptarë në Vjenë e Austri dhe mundësitë që ato vështirësi të zbuten përmes mbështetjes përkatëse nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, shkruan albinfo.at.
Në vazhdim, letra e plotë e Shoqatës së Studentëve Shqiptarë në Vjenë, “Societas”.
E nderuar ministre e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit znj. Arbërie Nagavci,
në emër të komunitetit të studentëve shqiptarë në Vjenë dhe shoqatës së studentëve “Societas Albania” shfrytëzojmë rastin ta përshëndesim iniciativën tuaj për përkrahjen financiare drejtuar studentëve nga Republika e Kosovës, që vijojnë rrugën e tyre akademike jashtë vendit. Shpallja zyrtare e këtij granti ka një domethënie të veçantë për ne si komunitet, meqenëse shënjon fillimin e një bashkëpunimi institucional të munguar gjatë dekadave të fundit.
Austria, e sidomos Vjena si metropol kyç i Evropës qendrore, ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga destinacionet më të dashura për studentët shqiptarë. Pozicioni gjeografik, por edhe qasja mikpritëse e shtetit austriak kanë bërë që numri i studentëve shqiptarë të rritet vit-pas-viti. Në vrojtimet e viteve të fundit që kemi bërë përmes entit statistikor rezulton që rreth 200 studentë të ri shqiptarë (gjysma e tyre nga Kosova) kanë marrë rrugën çdo vit për të vijuar studimet në universitetet e Vjenës. Këto shifra na kanë shtyrë që në verën e vitit të kaluar ta riaktivizojmë shoqatën studentore mbarëshqiptare “Societas Albania”, shoqatë kjo që ishte themeluar në 1995, kur Kosova po përjetonte periudhën e saj më të vështirë. Pavarësisht pandemisë, ne arritëm që t’i afrojmë studentët shqiptarë me njëri-tjetrin duke organizuar aktivitete të ndryshme në prezencë e online, por edhe duke mbajtur kontakte me përfaqësitë tona diplomatike.
Studentët shqiptarë në Vjenë janë të shpërndarë pothuajse njëtrajtësisht jo vetëm sa i përket qyteteve të origjinës, por edhe drejtimeve që studiojnë. Universiteti i Vjenës, si universitet i përgjithshëm, por i njohur kryesisht për shkencat sociale numëron më së shumti studentë aktivë nga vendet shqipfolëse. Pastaj vjen Universiteti Teknik, Universiteti i Ekonomisë, e kështu me radhë. Përpos ndjekjes së studimeve, studentët zakonisht duhet edhe të punojnë punë të ndryshme që t’i financojnë studimet, gjë e cila shtyn shpesh në zgjatje të studimeve e në disa raste edhe në braktisje totale të tyre.
Përpos kësaj, studentët nga Kosova sfidohen ekonomikisht që nga fillimi i procesit të aplikimit. Çdo dokument i lëshuar nga institucionet e Kosovës duhet të “certifikohet” me vulën apostile nga Ambasada Austriake, në mënyrë që ai të merret në konsideratë nga institucionet përkatëse austriake. Me këtë vulë duhet vulosur së paku 5 dokumente, e çmimi për një të tillë është 80€. Shqetësimi ynë rritet nga fakti që Kosova është i vetmi vend nga Europa ku studentët duhet të paguajnë këtë taksë. Megjithëse këtë çështje e adresuam muaj më parë edhe te Presidentja Osmani gjatë bashkëbisedimit të hapur në Vjenë, dëshirojmë që edhe ju si MASHTI të jeni në dijeni për problemin, meqenëse shumica e dokumenteve për vulosje vijnë pikërisht nga sektori i arsimit.
Ne besojmë se i tërë ky potencial akademik përbën një vlerë të lartë njerëzore për komunitetin tonë, vlerë së cilës i mungon qasja dhe trajtimi i duhur nga institucionet përkatëse. Siç e cekëm në fillim, nisma e MASHTI për grante për studentët e Kosovës që studiojnë jashtë vendit është ndër hapat e parë konkretë drejt ndërtimit të urave lidhëse ndërmjet komunitetit tonë dhe vendit prej nga vijmë. Kërkesa jonë është që kjo të jetë vetëm pikënisja e bashkëpunimit, dhe jo maksimumi i tij.
Konkretisht, besojmë se komuniteti i studentëve shqiptarë në Vjenë dhe Austri si njëri ndër grupimet më të mëdha të studentevë shqiptarë në botë duhet të trajtohet me një kuotë të caktuar bursash dhe mbështetjeje financiare. Përpos kësaj, mendojmë që institucionet përkatëse, e në veçanti MASHTI duhet ta bëjë të pamundurën që këtë komunitet ta mbajë të lidhur me vendlindjen, qoftë nëpërmjet iniciativave kulturore e shkencore, por edhe përmes komunikimit të vazhdueshëm zyrtar. Për këto të fundit, shoqata jonë “Societas Albania” është e gatshme të ndihmojë me të gjitha kapacitetet, qoftë duke ofruar ide bashkëpunimi, por edhe ndihmë me burimet modeste njerëzore që kemi.
Natyrisht që lutjes sonë për përforcim bashkëpunimi i paraprin fakti se jemi të vetëdijshëm që projekte të tilla marrin kohë dhe kërkojnë diskutim e shtjellim të gjerë. Shoqata dhe komuniteti ynë do t’i gëzohej pamasë përgjigjes suaj pozitive karshi kërkesës sonë dhe me gatishmëri të plotë do të angazhohej në lehtësimin e çdo barriere në këtë rrugë të përbashkët.
E mbyllim këtë letër me shpresën që kjo të jetë fillimi i një bashkëpunimi të suksesshëm, për të cilin do të jenë falenderues më së shumti gjeneratat në vijim.
Me respekt dhe mirënjohje,
Shoqata e studentëve shqiptarë, “Societas Albania”, Vjenë
Të ngjashme
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës Nga Neymar te Tripleksi më i Shtrenjtë në Botë: Historia e Investimeve që Ndërtojnë Standarde të...
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
Jeta në Zvicër
-
SBB pret fitim të njëjtë si vitin e kaluar Për vitin aktual, SBB pret një fitim që ka të ngjarë të jetë në të njëjtin...
-
Shumë pista skijimi në Zvicër kanë hapur sot dyert
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes
-
Gjeneva shtyn afatin e pagesës pas rritjes masive të taksës së makinave