Kosova
Zvicra, destinacioni i shqiptarëve të Austrisë
Nga mërgimi në mërgim. Kështu mund të quhet lëvizja më e re e një numri shqiptarësh, të cilët, duke pasur “letrat” austriake, kanë vendosur të provojnë jetën në Zvicër
Dikur kishin migruar në Austri për një jetë më të mirë. Por, për disa shqiptarë, shteti në jugun e Evropës Qendrore nuk po mbetet destinacioni i fundit. Për arsye financiare dhe profesionale, në vitet e fundit, disa prej atyre që kanë pasaportë austriake, e kanë lënë Austrinë për t´u shpërngulur në shtetin fqinj, Zvicrën. Ata janë vendosur në qytete të ndryshme, ku janë të angazhuar në profesionet e tyre. Ndonëse, jo të gjithë duan të qëndrojnë atje. Disa janë zhgënjyer dhe lëvizjen në Zvicër e shohin si një gabim që duhet përmirësuar.
Qëndrim Zahiri, nga Ferizaj, ka jetuar për 10 vjet në Austri. Fillimisht kishte kryer studimet në Universitetin e Mjekësisë në Graz, për të vazhduar më pas me specializim në Mjekësinë e Përgjithshme në Vjenë.
Ai në Zvicër është zhvendosur në vitin 2018, ku tashmë është specializant në Mjekësinë Interne në Universitetin e Mjekësisë në Cyrih (USZ). Pas përfundimit, Qëndrimi do të vazhdojë specializimin për Kardiologji.
Qëndrimi, jetesën në Zvicër e përshkruan si shumë dinamike. Por, sipas tij, kur njeriu arrin të menaxhojë mirë jetën e tij, atëherë mund të arrihet një baraspeshë mes punës, familjes dhe shoqërisë.
“Në Zvicër është orari i punës më i gjatë dhe kjo automatikisht çon në një çrregullim të bilancit punë-jetë. Por, kur njeriu ka ambicie të qarta, atëherë mundohet të gjejë atë baraspeshën mes punës, familjes dhe shoqërisë. Mendoj se çdo iniciativë e mirëplanifikuar që ka për qëllim përfundimtar arritjen e pikësynimit, e cila e di se mbaron me sukses, ia vlen të bëhet”, shprehet Qëndrimi.
Planet për t´u kthyer në Kosovë
Qëndrimi nuk ka vendosur se ku do të jetojë në vitet pas përfundimit të specializimit, në Cyrih apo në Vjenë. Por, dëshira e tij është që dikur të kthehet në Kosovë për të dhënë kontributin e tij në fushën e shëndetësisë. “Tani është e rëndësishme që t´i përfundoj punët e mia, por mendoj dhe shpresoj që në një të ardhme më të vonë të kthehem në Kosovë dhe sadopak të mundohem të kontribuoj në ngritjen e cilësisë të shëndetësisë të vendit tim”, thotë ai.
Shpërngulja në Zvicër, gabimi fatal i Burim Kadriut
Një mendim krejt ndryshe për Zvicrën e ka Burim Kadriu, i cili e kishte lënë Austrinë para një viti. Largimi nga Vjena për në kantonin Aargau të Zvicrës nuk i ka pëlqyer Burimit aspak. Ai, shpërnguljen në Zvicër e quan “gabim fatal jetësor” dhe thotë se nuk duhet lakmuar paratë.
“Kam bërë gabim fatal në jetën time kur e lashë Austrinë për Zvicrën. Ju them shqiptarëve që të mos i lakmojnë frangat zvicerane, meqë jeta këtu nuk është jetë. Është jetë stresi dhe sidomos nuk mund të përballohet nga dikush që tashmë ka jetuar në Austri njëherë, veçanërisht në Vjenë”, thotë ai, dhe shton: “Këtu jeta është punë – shtëpi, shtëpi –punë. Njerëzit jetojnë gjatë tërë kohës në stres. Nuk kanë kohë të lirë as për vete dhe as për familje. Të ardhurat janë më të mëdha, por shpenzimet janë dukshëm më të shumta se në Austri. Jeta është shumë e shtrenjtë. Nuk ka javë të shkurtuar të punës si në Austri, madje shumica detyrohen të punojnë patjetër edhe gjatë ditëve të shtuna, ngase nuk mund të mbulojnë shpenzimet mujore. Jam penduar dhe nga shtatori do të kthehem në Austri me familjen”.
Burimi është nga Maqedonia e Veriut, në Vjenë ka jetuar mbi 15 vite. Ai ka punuar si shofer kamioni, profesion të cilin e ushtron edhe tash, në Zvicër.
Luzerni, qyteti më i bukur në Zvicër
Plan për të lëvizur nga Zvicra nuk ka Feliksa Jakaj, e cila ka tashmë 4 vite që po jeton në Luzern me bashkëshortin dhe djalin e saj. Ajo punon si “influencer” në Instagram, ndërkohë që ka edhe punë në profesion, për të cilën ka kryer Shkollën e Lartë të Ekonomisë.
Feliksa thotë se Zvicra i ka ndryshuar jetesën dhe se Luzerni është qyteti më i bukur zviceran, nga ku nuk do të donte të lëvizte asnjëherë.
“Sa i përket punës sime si ´fashion influencer´, Zvicra më ka ndihmuar shumë. Ndryshe nga Austria, këtu ambienti dhe jeta është më e mirë, kurse edhe integrimi është më i lehtë. Të ardhurat nuk krahasohen me ato të Austrisë. Burokracia është më e thjeshtë meqë shumë gjëra kryhen përmes telefonit, pa pasur nevojë për procedura të dokumenteve sikur në Austri. Pastaj, jeta në Luzern më pëlqen shumë dhe mendoj se është qyteti më i bukur zviceran”, thotë Feliksa.
E pyetur nëse do të kthehej sërish në Austri, ajo thotë se më dëshirë jo. Por, nëse do t´i duhej, atëherë do e zgjidhte vetëm Vjenën.
Burim Kadriu: I dëshpëruar me vendimin
“Këtu jeta është punë – shtëpi, shtëpi –punë. Njerëzit jetojnë gjatë tërë kohës në stres. Nuk kanë kohë të lirë as për vete dhe as për familje. Të ardhurat janë më të mëdha, por shpenzimet janë dukshëm më të shumta se në Austri. Jeta është shumë e shtrenjtë. Nuk ka javë të shkurtuar të punës si në Austri…”.
Feliksa Jakaj: Në Zvicër, shumë më mirë se në Austri
“Ndryshe nga Austria, këtu ambienti dhe jeta është më e mirë, kurse edhe integrimi është më i lehtë. Të ardhurat nuk krahasohen me ato të Austrisë. Burokracia është më e thjeshtë meqë shumë gjëra kryhen përmes telefonit, pa pasur nevojë për procedura të dokumenteve sikur në Austri.
Rozafë Rexhepaj
E-Diaspora
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë Festa e shoqatës “Bashkimi" nga Usteri kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë...
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
-
Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Jeta në Zvicër
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës. Të mërkurën, ajo i kërkoi...
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes
-
Gjeneva shtyn afatin e pagesës pas rritjes masive të taksës së makinave
-
Gjykata Federale e njeh obezitetin si paaftësi në kushte të caktuara
-
Zvicra, kampion evropian në transportin hekurudhor