Kosova

Bankat komerciale në Kosovë, çmimet më të shtrenjta në rajon

Industria bankare në Kosovë ka çmime të larta si për norma të interesit, ashtu edhe për mirëmbajtje të llogarive bankare

Bankat komerciale në Kosovë, përkundër fitimit të madh me rreth 80 milionë euro në vit, vazhdimisht po i rrisin çmimet për shërbimet bankare.

Madje, këto shërbime janë më të shtrenjta se në vendet e rajonit dhe më gjerë. Në njëmbëdhjetë bankat sa operojnë në vend, kostot e kredive janë rreth 7 për qind dhe për mirëmbajtje të llogarive bankare nga 1.5 deri 5 euro.

Njohësit e çështjeve financiare vlerësojnë se roli i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), si rregullator nuk duhet lejuar rritjen e çmimeve administrative të panevojshme.

Në anën tjetër, në BQK dhe në Shoqatën e Bankave po thonë se bankave iu lejohet të caktojnë çmimoren e produkteve në bazë të politikave dhe procedurave.

Eksperti financiar, Kushtrim Ajvazi, thotë për KosovaPress se industria bankare në Kosovë ka çmime të larta si për norma të interesit, ashtu edhe për mirëmbajtje të llogarive bankare.

Duke parë numrin e lartë të bankave në tregun e Kosovës, Ajvazi theksoi se duhet të kenë çmime të arsyeshme.

“Nëse krahasojmë në tërësi industrinë bankare, mund të themi se po, sepse edhe pse ka evoluim vazhdimisht duhet të ketë norma shumë më rentabile. Kosova është më e shtrenjtë se vendet e rajonit”, thotë Ajvazi, transmeton Albinfo.ch.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, theksoi se për çmimet e shtrenjta fajtore është rregullatori, në këtë rast BQK.

“Këtu është roli i BQK-së si rregullator dhe i qeverisë që të mos ketë ngarkesa administrative të panevojshme. Është diskutuar gjatë kjo koha e deponimit të centëve apo disa shpenzime që lidhen me kartelat bankare, me mirëmbajtjen, si dhe me çështjen e posave nëpër pikat e shitjes që janë nëpër marketat e vogël. Janë disa çështje të cilat kishin mundur ta ulin koston e transaksioneve… Pajtohemi që jemi më të shtrenjtë. Fajtor janë rregullatorët ose politikat”, thekson Rukiqi.

Zëdhënësi i BQK-së, Kushtrim Ahmeti, thotë se Banka Qendrore e Republikës së Kosovës nuk aprovon çmimoret e bankave, por që zhvillon rregullativën përkatëse në këtë fushë.

Ahmeti thotë po ashtu se shërbimet e bankingut digjital mund të rrisin koston e shërbimeve.

“Sipas rregullores për normën efektive dhe kërkesat për shpalosje, kërkohet që bankat çdo tarifë që aplikojnë ta ndërlidhin me koston përkatëse. Megjithatë, duke parashikuar trendët e bankingut dixhital, aplikimi i tyre mund të ketë kosto të mirëmbajtjes së sistemeve, por që në fund bankat janë ato që specifikojnë çmimoret e produkteve në bazë të politikave dhe procedurave të brendshme. Në Kosovë janë të licencuara 11 banka komerciale, ku klientët mund të zgjedhin për opsionin e tyre më të favorshëm për të bërë biznes”, thekson Ahmeti në një përgjigje me shkrim për KP, përcjell Albinfo.ch.

Në Shoqatën e Bankave të Kosovës thonë se sa i përket kësaj çështjeje, të gjitha bankat në Kosovë publikojnë çmimoret e veta në kanalet e tyre të komunikimit, ashtu siç është e paraparë edhe me rregullore të BQK-së.

“Ndërsa, sa i përket krahasimit të kostove me rajonin dhe shtetet e BE-së, ne si SHBK nuk kemi bërë ndonjë hulumtim të tillë krahasues”, thuhet në përgjigjen e shkurtë nga kjo shoqatë.

Sipas kësaj shoqate, fitimi i bankave në vitin 2019 ka qenë rreth 80 milionë euro.

Bankat komerciale jo të gjitha i kanë të publikuara çmimoret në ueb-sajtet e tyre.