Lajme

Provokon kreu i punëdhënësve: “30.000 raste në ditë, janë të menaxhueshme”

Vogt: "Pas vaksinimit të grupit të rrezikut `mund të jetohet` me një numër të rasteve nga 20,000 deri në 30,000 në ditë pa u "përmbytur" spitalet"

Një deklarim i kryetarit të Federatës së Punëdhënësve të Zvicrës, Valentin Vogt, ka ngjallur një debat të nxehtë sot në mediat zvicerane.

“Nëse pacientët me rrezik të lartë vaksinohen, do të ketë rreth tri të katërtat më pak shtrime në spital”, ka thënë Vogt të premten në mbrëmje në “Tagesschau” të televizionit publik zviceran, SRF.

Kjo do të thotë që “mund të jetohet” me një numër të rasteve nga 20,000 deri në 30,000 në ditë pa u “përmbytur” spitalet, transmeton albinfo.ch.

Për krahasim: në fund të tetorit të vitit 2020, vlera më e lartë ditore e infeksioneve të konfirmuara laboratorike në valën e dytë dhe në përgjithësi deri më tani, ishte rreth 10,500 raste.

Vogt është i bindur se rreziku i një rrjedhe të rënduar të koronës dhe në këtë mënyrë,  i mbingarkesës së spitaleve do të jetë dukshëm më i ulët sa më shpejt që të vaksinohet grupi i rrezikut. Atëherë Këshillit Federal do t’i duhet të lehtësojë masat shumë më shpejt.

Vlerësimi i presidentit të punëdhënësve i shkakton nervozë nënkryetarit të task forcës shkencore të qeverisë federale. Me 30,000 infeksione të reja në ditë, spitalet do të mbingarkoheshin dhe procesi i infeksionit nuk mund të kontrollohej më, edhe nëse grupi i rrezikut do të ishte vaksinuar, ka theksuar Urs Karrer në të njëjtin raport televiziv.

Si drejtues i klinikës në Spitalin Kantonal Winterthur, ai sheh se edhe me normat e sotme, që janë dhjetë herë më të ulëta të infeksionit, çdo pacient i dytë me koronë nuk bën pjesë në grupin e rrezikut, përcjell albinfo.ch. Sipas tij, dy nga 1000 njerëz të moshës 50 e më shumë vjeçarë do të vdisnin nga koronavirusi ose me koronavirus, ndërsa tre deri në katër do të përfundonin në spital.