Tematike

Zviceranët, më tolerantë ndaj të huajve se dy vite më parë

Krahasuar me sondazhin e fundit të bërë në vitin 2018, toleranca është rritur pak ndërkohë që edhe dhuna ndaj të huajve është rritur

Një e treta e popullsisë së Zvicrës ndihet e shqetësuar nga njerëzit që perceptohen si “të ndryshëm” (të huajt) ndërsa një e pesta, nga myslimanët.

Krahasuar me sondazhin e fundit të bërë në vitin 2018, toleranca është rritur pak ndërkohë që dhuna ndaj të huajve është rritur, shkruan sda.ch.

58 për qind e të anketuarve e konsiderojnë racizmin si një problem të rëndësishëm shoqëror, transmeton albinmfo.ch. Kjo është për një pikë përqindjeje më pak se në sondazhin e fundit.

64 për qind janë të mendimit se integrimi i migrantëve është duke funksionuar mirë që është për nëntë pikë përqindjeje më shumë se rezultati i sondazhit të fundit mbi bashkëjetesën ndërkulturore në Zvicër.

Por, ndryse nga qëndrimet e lartpërmendura, praktika flet në një gjuhë tjetër. Përvojat që lidhen me diskriminimin, janë në rritje:

Që nga monitorimi i parë, i realizuar në vitin 2016, përqindja e popullsisë që ka përjetuar diskriminim ose dhunë është rritur nga 27 në 32 për qind. Shumica e viktimave japin kombësinë e tyre si shkak, bën të ditur Zyra Federale e Statistikave (BFS).

Diskriminimi ushtrohet më së shpeshti në punë, por ndodh edhe në hapësirat publike.

Rritet pjesërisht mospëlqimi për të huajt 

Në përgjithësi, perceptimi negativ ndaj bashkëqytetarëve “të ndryshëm” ka rënë nga 36.3 për qind, sa ishte në vitin 2016, në 34.2 për qind në vitin 2018 dhe 33 për qind, në vitin e kaluar.

Por kjo nuk ishte e njëjtë në të gjitha segmentet e popullsisë, transmeton albinfo.ch. Mos pëlqimi tek burrat ka shënuar një rritje të lehtë prej 0.3 pikë përqindjeje gjatë dy viteve të fundit.

Edhe në kategorinë e qytetarëve me nivel të mesëm të arsimit, pak më shumë njerëz janë ndier të shqetësuar nga të huajt në vitin 2020 sesa dy vjet më parë.

Niveli i arsimit tregon një veçori tjetër statistikore: nuk janë të paarsimuarit ata që kanë më shumë paragjykime për të huajt, por ata që kanë  braktisur shkollën e mesme. Pjesa e popullsisë që ka ndjekur vetëm shkollën e detyrueshme është pothuajse po aq tolerante sa klasa “intelektuale”, me studime universitare të mbaruara.

Në vitin 2020, 30.5 përqind e personave me arsim të ulët i kanë konsideruar të huajt si faktor shqetësues dhe 28.7 përqind të të arsimuarve. Nga ana tjetër, në mesin e qytetarëve me nivel të mesëm të arsimit, 37.3 përqind ishin kundër të huajve. Gratë me një shkallën e skepticizmit  prej 30.8 përqind janë pak më tolerante se mesatarja.

Paragjykimet janë në rritje në qytete

Në zonat e populluara dendur – me fjalë të tjera, në qytete dhe aglomeracione – popullsia shqetësohet më pak nga “njerëzit e ndryshëm” sesa mesatarja, përcjell albinfo.ch. Por ndjenja e tolerancës duket se po zvogëlohet: në vitin 2020, 27.3 nga banorët e zonave metropolitane nuk pëlqenin të huajt – kjo ishte 1.8 pikë përqindje më shumë se në sondazhin e fundit.