Lajme

Ambasadori Ukelli viziton kompaninë “LIKA”

"Ambasada e Kosovës në Bernë do t'i shumëfishojë përpjekjet për të nxitur dhe lehtësuar komunikimin me afaristët e suksesshëm kosovarë në Zvicër”

Ambasadori i Kosovës në Bernë, Sami Ukelli, ishte të premten për vizitë në kompaninë “LIKA” në Fisibah, ku është pritur nga vëllezërit Lika, themelues dhe pronarë të kësaj kompanie.

Gjatë vizitës, ambasadori Ukelli ishte njoftuar për rezultatet e punës së kompanisë LIKA, e cila është një ndër kompanitë lidere në sektorin e ndërtimit në Zvicër.

Me këtë rast, ambasadori Ukelli ka falënderuar pronarët dhe menaxherët e kompanisë LIKA, Esat Lika dhe Fatmir Lika, për mikpritjen e ngrohtë dhe prezantimin e kompanisë, në të cilën zbatohen standardet më të larta zvicerane të ndërtimit.

“Ambasada e Kosovës në Bernë do t’i shumëfishojë përpjekjet për të nxitur dhe lehtësuar komunikimin me afaristët të suksesshëm kosovarë në Zvicër”, ka vlerësuar me këtë rast diplomati kosovar për albinfo.ch.

Ambasadori Ukelli theksoi se kjo kompani jo vetëm që paraqet imazh suksesi të shqiptarëve të Kosovës në Zvicër, por është edhe punëdhënës i qindra punëtorëve zvicerano-kosovarë.

Ndryshe, kompania “LIKA” me suksesin e saj është bërë emër i njohur në sektorin e ndërtimeve në Zvicër.