Tematike

Sot Zvicra voton iniciativën për ndalimin e “burka-s”

Njëkohësisht, në njëmbëdhjetë kantone do të votohet për çështje të ndryshme lokale ose do të zhvillohen zgjedhje komunale

Elektorati zviceran do të vendosë sot, më 7 mars, për tri iniciativa në nivel federal. Kështu, do të votohet për nismën “Po për ndalimin e mbulesës (burka)”, referendumin për pasaportën dixhitale (ligji E-ID) dhe marrëveshjen e tregtisë së lirë me Indonezinë.

Njëkohësisht, në njëmbëdhjetë kantone do të votohet për çështje të ndryshme lokale ose do të zhvillohen zgjedhje komunale, transmeton albinfo.ch.

Kështu, për shembull, elektorati i Cyrihut vendos se si mund të monitorohen shfrytëzuesit e ndihmave sociale dhe nëse përkatësia nacionale e shkelësve të rendit duhet të paraqitet në raportet e policisë.

Në Kantonin Vaud mbahen zgjedhjet për asambletë e komunave. Në këto zgjedhje kandidojnë një numër i madh politikanësh shqiptarë ndërsa albinfo.ch ka prezantuar ata në mënyrë meritore, përmes intervistave dhe tryezave të mbajtura online.

Gjeneva voton për kompensimin për pagat e humbura ndërsa kantoni i Zugut për një ulje taksash për të zbutur pasojat negative financiare të krizës së koronës.

Në kantonet Valis dhe Solothurn, mbahen zgjedhjet e përgjithshme për rinovimin e qeverive kantonale. Përveç kësaj, populli i Gjenevës zgjedh një pasardhës të ministrit kantonal Pierre Maudet nga FDP, i cili është dorëhequr.

Por, iniciativa me siguri më e njohur për të cilën votohet sot është ajo për ndalimin e mbulesës, e identifikuar ndryshe si “iniciativa e burkës”.

Me parullën “Po për lirinë, barazinë dhe kundër-terrorizmin”, një aleancë e udhëhequr nga Komiteti i Egerkingen-it, ka hapur fushatën e votimit në mes të janarit. Komiteti mbështetet nga pjesëtarë jopartiakë si dhe anëtarë të partive të djathta SVP, FDP, JSVP dhe EDU.

Megjithëse nisma popullore kërkon një ndalim të përgjithshëm të mbulimit të fytyrës- përfshirë edhe huliganët në lojërat e futbollit – iniciatorët janë fokusuar kryesisht tek gratë myslimane që veshin burka ose nikabë, transmeton albinfo.ch. Iniciatorët argumentojnë se çdo formë e mbulesës së plotë simbolizon shtypjen e grave myslimane.