Kosova

53,600 zarfe nga diaspora janë aprovuar, mbi 20 mijë janë refuzuar

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar procesin e vlerësimit të pakove me fletëvotime nga jashtë, ku janë refuzuar rreth 20 mijë e 400 zarfe me fletëvotime.

Ndërkohë që zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se janë pranuar rreth 53 mijë e 600 zarfe të ardhura nga jashtë për zgjedhjet e 14 shkurtit, transmeton albinfo.ch.

“Këto janë vetëm të dhëna preliminare, sepse shërbimi votues është duke rishikuar bazën e të dhënave nga ku do të kemi shifrat e sakta dhe përfundimtare të numrit të fletëvotime nga jashtë vendit, të cilat do të numërohen në Qendrën për Numërim dhe Rezultate”, tha Elezi.

Për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, të drejtë vote kanë pasur mbi 1.7 milion qytetarë të Kosovës. Sipas të dhënave preliminare, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 47.85 për qind të votave, Partia Demokratike e Kosovës 17.41 për qind, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.08 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar 7.43 për qind të votave.