Kosova

11 të arrestuarit e rastit “Subvencioni 2021” dalin para Gjykatës

Përmbledhje: Paratë e ryshfetit kishin për qëllim t’i ndanin me kolegët e AZHB-së, plane për të blerë super banesa

Njëmbëdhjetë persona të arrestuar për rastin e njohur si “Subvencioni 2021” kanë dalë para trupit gjykues në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi, bërë të ditur të mërkurën se pas bastisjes së disa lokacioneve kanë arrestuar 12 persona dhe kanë sekuestruar 400  mijë euro.

Policia e Kosovës, përkatësisht Departamenti i Krimeve të Rënda zhvilloi aksione në Prishtinë, Istog, Lipjan, Podujevë, Gjilan, transmeton albinfo.ch.

Aty janë sekuestruar dy çanta me para në shtëpitë e të dyshuarve.

Kujtojmë se Ministria e Bujqësisë në Kosovë drejtohet nga Besian Mustafa i LDK-së, ndërsa në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme është Agim Veliu, nga po e njëjta parti.

Dje është liruar njëri nga të arrestuarit, pasi nuk ka asnjë dëshmi lidhur me rastin.

Në mesin e të arrestuarve është edhe Drejtori i Departamentit të Pagesave Direkte në AZHB, L.S.

Burimet e IO të afërta me hetimet kanë thënë se Statovci ka pranuar shuma të ndryshme të parave (ryshfet) nga persona të ndryshëm në mënyrë që të njëjtit t’i fus në listën e përfituesve për subvencione.

Hetuesit në këtë rast kanë zbatuar masa të fshehta teknike të vëzhgimit. Në provat e siguruara nga policia, i dyshuari në disa raste shihet duke pranuar para dhe duke i ndarë me zyrtarë të tjerë të AZHB-së në zyrën e tij.

Në një rast, L.S. dëgjohet duke thënë se e ka në posedim shumën prej 600.000 eurosh dhe bënte plane që të blejë banesë në vlerë nga 200.000 deri në 300.000 euro.

“L.S. duke e shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare të Drejtorit të Departamentit të Pagesave Direkte në Agjencionin për Zhvillimin e Bujqësisë ka vepruar në mënyrë të kundërligjshme për përfitim material për vetë apo persona të tjerë, konkretisht ka pranuar shuma të ndryshme të parave (ryshfet) nga persona të ndryshëm në mënyrë që të njëjtit t’i fus në listën e përfituesve për subvencione”, kanë thënë burimet e afërta me hetimet.

Këto fakte vërtetohen nga provat e sigurua gjatë aplikimit të masave të fshehta të hetimit, ku i njëjti në disa raste shihet duke pranuar para dhe duke i nda me kolegët e tij që tashmë ndodhen prapa grilave.

Prokuroria e Prishtinës ka kërkuar masën e paraburgimit për L.S dhe 10 personat e arrestuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje ryshfeti, dhënie ryshfeti.

Prokuroria po pretendon se të dyshuarit me iniciale L.S, S. Sh, S. S, B.N, H .M, K. Z, A.U, D. A, P.K, Sh.K dhe K.B- S, duke vepruar në kundërshtim me detyrën zyrtare kanë kërkuar apo kanë pranuar ryshfet nga persona të ndryshëm, kryesisht nga fermerët, në mënyrë që të njëjtit t’i fusin në listat e përfituesve të subvencioneve, ndërsa personi me inicialet A.N., vetëm është shoqëruar në stacionin policor dhe i njëjti është liruar në procedurë të rregullt.

Operacioni “Subvencioni 2020” deri tani në pranga ka futur 20 të dyshuar, 11 në ditën e parë të aksionit dhe nëntë tjerë gjatë ditës së djeshme.

Gjatë bastisjeve janë sekuestruar rreth 433.160 euro, 600 dollarë, 200 franga, 275 lira turke, 15 telefona, 8 vetura, një kompjuter, pesë armë, një USB dhe një vulë.

Hetimet ende janë duke vazhduar dhe varësisht nga rrjedha e tyre, mund të ketë sërish të arrestuar.