Lajme

Qytetarët e Kosovës morën mbi 1.5 miliard euro në banka

Bankat në Kosovë gjatë kohës se pandemisë kanë dhënë mbi 1.5 miliard euro kredi. Por, fitimi i bankave komerciale nuk ka qenë i vogël edhe vitin e kaluar. Pavarësisht pandemisë, bankat që operojnë në Kosovë kanë fituar rreth 80 milionë euro.

Qytetarët e Kosovës gjatë kohës së pandemisë shpresën e vetme financiare duket se e kanë pasur te bankat.

Edhe gjatë kohës se ata janë përballur me COVID-19, nuk kanë hezituar që të marrin kredi.

Në Bankën Qendrore të Kosovës kanë treguar se bankat komerciale gjatë pandemisë COVID-19 kanë dhënë mbi 1.5 miliard euro kredi.

“Sektori bankar është mirë i kapitalizuar dhe likuid. Ky sektor e ka ndihmuar shumë ekonominë edhe gjatë kohës së pandemisë. Bankat kanë dhënë kredi mbi 1.5 miliard euro gjatë pandemisë COVID-19, kemi reni të normave të interesit bankar dhe kjo ka ndihmuar shumë. Ky sektor ka kapacitet të luajë rol kyç për rimëkëmbje ekonomike pas pandemisë”, kanë treguar në BQK.

Sipas Bankës Qendrore në Kosovë, edhe kreditë e këqija janë të vogla.

“Kreditë joperformuese janë në nivel mjaft të ulët, edhe gjatë pandemisë kanë qenë 2.7 për qind”.

Në BQK kanë treguar se gjatë pandemisë ka pasur edhe rritje të kërkesës për para të gatshme.

“Numri i llogarive bankare ka arritur në 2.26 milionë llogari apo një rritje prej 4.3 për qind, që mund të arsyetohet me nevojën e bizneseve dhe individëve për hapjen e llogarive bankare për të përfituar nga masat lehtësuese ekonomike të Qeverisë. Po ashtu, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar është regjistruar një rritje prej 22.4 për qind e llogarive që kanë qasje në e-banking, ku numri i tyre deri në tetor 2020 është 393 mijë”.

Por, fitimi i bankave komerciale nuk ka qenë i vogël edhe vitin e kaluar. Pavarësisht pandemisë, bankat që operojnë në Kosovë kanë fituar rreth 80 milionë euro.

Banka Qendrore e Kosovës ka treguar se të ardhurat e bankave kanë qenë 279.3 milionë euro.

Pavarësisht pandemisë, bankat komerciale që operojnë në Kosovë kanë shënuar fitim prej 79.9 milionë eurosh. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019, fitimi i tyre është më i vogël me 6.3 milionë euro.

Në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës mbi sistemin financiar, shihet se të hyrat e bankave kanë qenë 279.3 milionë euro, ku 212.2 milionë euro ishin të hyra nga interesi, kurse në muajin dhjetor të 2019-së është raportuar se këto të ardhura ishin 263.2 milionë euro. Për sa u përket shpenzimeve të bankave, në raport thuhet se 97.3 milionë euro kanë qenë shpenzime administrative, kurse 22.7 milionë euro shpenzime të interesit.

Sektori bankar në Republikën e Kosovës përbëhet nga gjithsej 11 banka, prej të cilave gjashtë janë filiala të grupeve bankare ndërkombëtare, tri janë degë të bankave të huaja dhe dy banka vendore.