Lajme

Këmbëngul qeveria – duket e pamundur hapja e restoranteve para 1 prillit

Më e shumta që mund të bëhet, është që pronarëve të restoranteve t`u mundësohet hapja e tarracave pak më herët se që është planifikuar

Nesër, e mërkurë, Këshilli Federal do të vendosë për zbutjen e parë të masave të bllokimit. Sipas informacioneve të pakonfirmuara, që publikojnë mediat në mbrëmjen e sontme, restorantet nuk janë të përfshira në këtë zbutje për muajin mars.

Javën e kaluar, kur, më 17 shkurt, Qeveria Federale kishte prezantuar strategjinë e daljes nga bllokimi i koronës, protestat nga sektori i hotelierisë ishin të forta.

Qeveria e shtetit kishte propozuar rihapjen e dyqaneve, kopshteve zoologjike, muzeve dhe bibliotekave më 1 mars, transmeton albinfo.ch. Ndërsa për restorantet kishte porositur të kenë durim për të paktën një muaj më gjatë – dhe edhe pas kësaj të lejohen të hapin vetëm tarracat.

Siç njoftojnë njerëz të afërt me qeverinë, Këshilli Federal nuk ka gjasa të ndryshojë qëndrim. Më e shumta që mund të bëhet, është që pronarëve të restoranteve t`u mundësohet hapja e tarracave pak më herët se që është planifikuar.

Por, një hapje e plotë, e kërkuar jo vetëm Gastrosuisse, por edhe SVP, si dhe pjesë të FDP dhe “Die Mitte”, gjykuar sipas gjendjes së sotme (mbrëmje e të martës), nuk është e mundur.

14 kantone mbështesin Këshillin Federal

Këshilli Federal, nën presionin e kritikave për hapjen shumë të shpejtë pas valës së parë në pranverë, dëshiron që këtë herë të lëvizë më ngadalë dhe të presë njëherë pasojat e hapit të parë të hapjes.

Janë 14 kantone që kanë mbështetur qeverinë e shtetit plotësisht ose vetëm me pak vërejtje. Ndërkaq, një numër fare i vogël i kantoneve kërkon hapjen e tarracave të restorantev që nga 1 mars – dhe me kufizime.

Në këtë pikë Këshilli Federal duhet të bëjë mirë peshimin e deklarimeve kontradiktore të kantoneve, përcjell albinfo.ch. Dhe kjo, bazuar në përvojën e deritashme, tregon se ai po i qëndron linjës së tij, të proklamuar javën e kaluar