Kosova

DnV: Qeveria të rishqyrtojë masat e reja anti-Covid, mund t’i diskriminojë votuesit nga diaspora

Në një njoftim të fundit, Demokracia në Veprim shpreh shqetësim për vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për lehtësimin e masave anti-Covid, në një kohë kur numri i personave të infektuar me Covid-19 është në rritje të vazhdueshme dhe kur masat parandaluese paraprake janë shkelur në pothuajse të gjitha aktivitetet zgjedhore të subjekteve politike.

Për më tepër, vendimi i Qeverisë, sipas DnV-së, është kontradiktor me vendosjen e masave të reja ndaj qytetarëve të Kosovës, (përfshirë edhe ata me vendbanim në një shtet tjetër), të cilët gjatë hyrjes në Kosovë duhet të paraqesin testin negativ RT-PCR të bërë më së largu 72 orë ose në të kundërt të vetizolohen për 7 ditë.

“Nga një anë, ka lehtësim masash, ndërsa në anën tjetër, të njëjtat bëhen me strikte, duke i diskriminuar qytetarët e Kosovës që vijnë nga jashtë. Duke e ditur që shumë qytetarë me të drejtë vote janë nisur drejt Kosovës, kjo masë e re e Qeverisë e paralajmëruar me vonesë, mund të cenojë të drejtën kushtetuese të qytetarëve të Kosovës për të votuar”, thuhet ndër të tjera në reagimin e DnV-së.

DnV kërkon nga Qeveria që të rishqyrtojë të gjitha masat e reja anti-Covid, të cilat janë gjithashtu në kundërshtim edhe me rekomandimet e ekspertëve të fushës.