Kosova

Zemaj: Vaksina në Kosovë vjen brenda këtij muaji

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, njoftoi se vaksinat kundër koronavirusit do të mbërrijnë në Kosovë gjatë këtij muaji, përcjell albinfo.ch.

Ai shprehet se procesi i përgatitjes për këtë qëllim ka përfunduar, çka nënkupton planin e imunizimit dhe sigurimin e zinxhirit të ftohjes. “Tani jemi në pritje të mbërritjes së dozave. Brenda shkurtit, vaksina anti-COVID do të jetë në Kosovë. Përgatitjet janë më intensive në qendrat e mjekësisë familjare”, sqaroi Zemaj, pa përmendur ndonjë datë të saktë se kur mund të ndodhë një gjë e tillë.

Po ashtu, ai ka paralajmëruar edhe nisjen e fushatave të ndërgjegjësimit për shkak se ekziston tendenca, siç tha, që procesi i imunizimit të përballet me teori konspiracionit në vend, ashtu sic ka ndodhur edhe në pjesë të tjera të botës. Zemaj e theksoi se si problemet me sigurimin e vaksinës janë tashmë të dukshme në mbarë Evropën, por shpresat janë që kompanitë me të cilat ka negociuar Kosova, do ta mbajnë premtimin e tyre.

Ministria në detyrë e Shëndetësisë pati njoftuar se ka marrë konfirmim nga kompania amerikane Pfizer për sigurimin e 535,000 vaksinave kundër koronavirusit. Megjithatë, kompania amerikane Pfizer nuk e ka konfirmuar marrëveshjen me Qeverinë në detyrë të Kosovës. Zyrtarët e saj kanë thënë vetëm se janë në diskutime për këtë çështje dhe se negociatat janë konfidenciale.