Kosova

15 vjet nga vdekja e Ibrahim Rugovës

21 janari është data kur ish-presidenti Rugova ndërroi jetë. Pikërisht sot shënohet 15-vjetori i vdekjes së tij, transmeton albinfo.ch.

Vlen të theksohet se në përvjetorin e 15-të të vdekjes së tij do të bëhen homazhe tek varri i tij në Velani dhe te familja Rugova, ndërkaq në orën 14:00 në Gjilan do të mbahet edhe një akademi përkujtimore.

Nga ana tjetër, në përvjetorin e parë të vdekjes së Ibrahim Rugovës, ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e dekoroi Rugovën me Urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë në vendin tonë që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës.

Dr. Ibrahim Rugova lindi më 2 dhjetor të vitit 1944 në fshatin Cerrcë, komuna e Istogut. Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugovën, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ibrahim Rugova u zgjodh më 23 dhjetor 1989 kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që sfidoi drejtpërdrejt regjimin e atëhershëm.