Kosova

UNICEF i dhuron Kosovës 1,344 kuti transportuese të vaksinave

UNICEF-i në partneritet me Ambasadën Britanike në Kosovë dhe Qeverinë e Luksemburgut sot dhuruan një donacion prej 1,344 transportuesish të vaksinave për imunizim të rregullt që do të kontribuojnë në forcimin e programit të vaksinimit në Kosovë, transmeton albinfo.ch.

Transportuesit e vaksinave janë pjesë e mbështetjes së UNICEF-it për ta forcuar infrastrukturën që ka të bëjë me ‘zinxhirin e ftohtë në Kosovë’.

Në saje të këtyre transportuesve, ekipet mobile të punonjësve shëndetësorë do të jenë në gjendje të ofrojnë shërbime të imunizimit për komunitetet dhe fëmijët që janë vështirë për t’u arritur, si p.sh.: fëmijët nga zonat rurale, fëmijët nga komunitetet joshumicë dhe ata fëmijë që jetojnë me aftësi të kufizuara ose larg qendrave shëndetësore.

Këta transportues do të përdoren gjithashtu nga mjekët dhe infermierët e vijës së frontit për shpërndarjen e vaksinave COVID-19 në Kosovë, ku është planifikuar që të vaksinohen rreth 4500 persona gjatë fazës së parë dhe 360,000 persona gjatë fazës së dytë.

Në njoftim thuhet se Institutit të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe 191 institucioneve shëndetësore në nivel rajonal dhe lokal do t’u dhurohen transportuesit e vaksinave.

 

Çfarë janë transportuesit e vaksinave?

Transportuesit e vaksinave përdoren për transportimin e vaksinave në vendin ku do të administrohen ato. Transportuesit e vaksinave janë kuti të izoluara që përdoren për transportimin e një numri të kufizuar të ampulave dhe holluesve të vaksinës nga depoja më e afërt në vendin e vaksinimit, për ruajtjen e ampulave në vendin ku do të bëhet vaksinimi dhe kthimin e ampulave të papërdorura, ampulave që janë përdorur pjesërisht apo plotësisht, në pikën e zinxhirit të ftohtë po atë ditë. Transportuesit janë të mbushur me katër pako akulli dhe mund ta mbajnë temperaturën e ruajtjes nga -20 C deri në -80 C për 41 orë e 29 minuta.

Ndikimi i pandemisë dhe i masave parandaluese në shërbimet e kujdesit akut, përfshirë shërbimet e imunizimit ka qenë esencial për shkak të ridestinimit të burimeve dhe imponimit të masave parandaluese. Ky çrregullim në shërbime themelore ka qenë veçanërisht i vështirë për njerëzit nga komunitetet në nevojë, ku mbulimi i imunizimit për disa komunitete ka qenë i ulët edhe para shfaqjes së pandemisë COVID-19 (për fëmijët nga Komuniteti Rom, Ashkali dhe Egjiptian një ulje prej 38 për qind për vaksinat rutinë të fëmijëve).

“Kjo ndërprerje në programin e imunizimit mund të rrisë rrezikshmërinë për shpërthimin e  sëmundjeve infektive që parandalohen me vaksina, të cilat duhet të trajtohen në mënyrë specifike.

Për shembull, programi rutinor i imunizimit u ndërpre plotësisht për dy muaj. Programi aktualisht mbulon më shumë se 210,747 fëmijë të grupmoshës 0-12 si pjesë e planit esencial të imunizimit të tyre rutinor. Në të njëjtën mënyrë, edhe pezullimi i programit të vizitave në shtëpi i la më shumë se 48,418 fëmijë të grupmoshës 0-3 pa mbështetjen e programit që përmes infermierëve siguron shëndet, ushqim dhe mbështetje prindërore”, thuhet në njoftimin e UNICEF-it.

Murat Sahin, shefi i zyrës së UNICEF-it në Kosovë theksoi se “së bashku me partnerët kombëtar dhe ndërkombëtarë, do të vazhdojmë t’i mbështesim institucionet, ta forcojmë sistemin e zinxhirit të ftohtë, infrastrukturën e imunizimit dhe vaksinimin në terren në Kosovë”.

Me mbështetjen e Ambasadës Britanike në Kosovë u dhuruan 1,206 transportues të vaksinave, ndërsa Qeveria e Luksemburgut dhuroi 138 të tjerë, të cilët do ta forcojnë edhe më tej programi e rregullt të imunizimit në Kosovë.