Kosova

Gjermania po shndërrohet në një trend të ri emigrimi për shqiptarët

Gjermani, në dy vjetët dyfishohen lejet e qëndrimit

Duket se shteti gjerman po shndërrohet në një trend të ri emigrimi për shqiptarët e të gjitha shtresave, por sidomos ato më aftësi, përcjell albinfo.ch.

Referuar të dhënave të fundit, nga Eurostat treguan se përgjatë viteve 2017-2019 lejet e qëndrimit për shqiptarët në Gjermani u dyfishuan.

Thuhet se stoku i lejeve të qëndrimit në Gjermani në vitin 2019 arriti në 42 mijë e 600 mijë persona nga rreth 24 mijë leje që ishin në vitin 2017. Në vitin 2011 në Gjermani ishin dhënë vetëm 8152 leje qëndrimi për shqiptarët.

Nga ana tjetër, lejet në rritje u nxiten nga trendi i ri i azilit për arsye ekonomike pas vitit 2015. Në vitin 2016 rreth 67 mijë shqiptarë u regjistruan si azilkërkues në BE, shumica e të cilëve ishin në Gjermani.

Qendra për Studime Ekonomike dhe Sociale në Shqipëri, në një anketë të fundit për emigracionin e aftësive (studentët) ka gjetur se trendi i ri emigracionit është Gjermania.

Ndërkohë, që niveli i lartë i zhvillimit ekonomik e social, mundësia e punësimit për personat me edukim universitar dhe të kualifikuar, cilësia e lartë e edukimit terciar, kosto e ulët e tarifave universitare, ekzistenca e një komuniteti shqiptar në rritje të shpejtë,  janë disa nga faktorët që shpjegojnë zhvendosjen e kurbës nga Italia te Gjermania, thotë profesor Ilir Gëdeshi që prej vitesh studion tiparet dhe tendencat e emigracionit. Sipas tij, ky perceptim i Gjermanisë, si një vend shumë i përparuar dhe që ofron mbështetje të mirë sociale, u rrit veçanërisht pas krizës ekonomike globale (2008) dhe krizës së refugjatëve (2015).

Vlen të theksohet se gjatë viteve 2013–2018 thuajse 83.000 shqiptarë aplikuan për azil në Gjermani (dhe më pas u rikthyen).  Arbeni, një student në Gjermani, tregon arsyet e kësaj preference: “Gjermania preferohet sepse universitetet i ka të një cilësie të lartë dhe thuajse falas. Unë për 6 muaj paguaj 150 euro, ndërkohë që Franca i ka deri në 2 mijë euro për një semestër. Veç kësaj Gjermania për momentin është lideri i Bashkimit Europian dhe ka mundësi më të mira punësimi.  Gjermania, do të thosha, tani është bërë si vendi kryesor për shqiptarët për të studiuar.”

Kjo dëshirë e studentëve shqiptarë për të studiuar në Gjermani reflektohet edhe në mësimin e gjuhës gjermane. Shumë nxënës të shkollave fillore dhe të mesme në Shqipëri kanë filluar të mësojnë gjuhën gjermane në shkollë ose në kurse private. Pranvera, një mësuese me eksperiencë në një shkollë të mesme private në Korçë, shprehet:  “Në qoftë se do të krahasojmë me 3–4 vite më parë është rritur preferenca e nxënësve për të studiuar në Gjermani. Tani edhe në shkollë gjuha italiane thuajse po zëvendësohet me gjermanishten. Në shkollë ne kemi pasur gjuhën angleze dhe italiane”.

Të dhënat e Eurostat tregojnë se për shtetasit nga Shqipëria janë dhënë deri në fund të vitit 2019 nga vendet e Bashkimit Europian rreth 868 mijë leje qëndrimi, duke u renditur e gjashta në botë për numrin e lejeve, pas Marokut (2.0 milionë), Turqisë (1.9 milionë), Ukrainës (1.3 milionë) dhe Kinës (përfshirë Hong Kongun; 1.0 milionë), Sirisë (974 000). Ndërsa në raport me popullsinë, vendi renditej i pari në botë.

Sipas të dhënave të Eurostat, 48% e lejeve të qëndrimit janë dhënë për shtetasit shqiptarë nga Italia, për një total prej rreth 417 mijë personash. Në vend të dytë është Greqia, me 43%, ose 371 mijë persona. Gjermania ka kaluar në vend të tretë, me 43 mijë lejë qëndrimi, ose 5% të totalit. Në vend të katërt është Franca, me 11 mijë persona, ose 1.3% të totalit. Shtetet e tjera kanë dhënë mesatarisht më pak se 5,500 leje qëndrimi për shtetasit shqiptarë, shkruan Monitor. /Albinfo.ch