Kosova

Në Kosovë filloi gjysmëvjetori i dytë në shkollat fillore dhe të mesme

Pas një muaj pushimi, mbi 345 mijë nxënës të nivelit parauniversitar sot u rikthyen në bankat shkollore për të nisur gjysmëvjetorin e dytë. Procesi mësimor do të fillojë në shkolla sipas skenarit A dhe, varësisht nga situata me pandeminë, mund të kalohet në skenarin B – mësim i kombinuar, ose në skenarin C – mësim nga distanca.

Ministri në detyrë i Arsimit, Ramë Likaj, ka uruar të dielën nxënësit e mësimdhënësit me rastin e fillimit të periudhës së dytë mësimore. Përmes një postimi në Facebook ai ka kërkuar kujdes të shtuar dhe respektim të masave anti-COVID për të ruajtur shëndetin.

“Falë bashkëpunimit të shkëlqyeshëm mes MASH-it, DKA-ve, menaxhmentit të shkollave, nxënësve, prindërve, SBASHK-ut, donatorëve dhe partnerëve dhe të gjithë akterëve relevantë, ia kemi dalë të përmbyllim suksesshëm gjysmëvjetorin e parë. Ju ftoj që edhe kësaj radhe të tregojmë përkushtim dhe të bëjmë më të mirën në ofrimin e arsimit cilësor për nxënësit tanë”, ka shkruar Likaj.