Tematike

A e prek ndalimi i mundshëm i burka-s edhe maskën kundër koronavirusit?

Gazeta "20 minuten" ka bërë këtë pyetje: çfarë do të thotë ndalesa e burka-s për maskat higjienike të cilat aktualisht po përdoren për mbrojtje nga koronavirusi?

Më 7 mars, zviceranët do të votojnë për iniciativën popullore “Po për ndalimin e mbulesës (burka-s)”. Kjo iniciativë kërkon që në gjithë Zvicrën të ndalohet mbulimi i fytyrës në vende me qasje publike.

Kështu, sipas saj, në rrugë, në zyrat qeveritare, në transportin publik, në stadiume futbolli, restorante, dyqane apo kudo në ambiente  publike, jashtë, fytyra duhet të mbetet gjithmonë e zbuluar.

Në lidhje me këtë, gazeta “20 minuten” ka bërë një pyetje: çfarë do të thotë kjo ndalesë për maskat higjienike të cilat aktualisht po përdoren për mbrojtje nga koronavirusi?

Përjashtimet nga ndalimi i mbulesës do të ishin të mundshme në vendet e kultit (objekte fetare) pastaj për arsye të sigurisë, shëndetit, kushteve klimatike dhe zakoneve lokale, është përgjigja. Ndërkaq do të jenë rregulloret konkrete ato që duhet të saktësojnë veprimet në fjalë, në nivelin ligjor, transmeton albinfo.ch.

Vënia e maskës higjenike nuk bie në ndalimin e mbulesës që kërkon iniciativa. Të kujtojmë: Përveç mbulesës fetare islame për gratë (burka), me iniciativë parashihet ndalimi edhe i mbulesës së fytyrës të tifozëve të dhunshëm në stadiume.

Po nëse iniciativa nuk votohet?

Në një rast të tillë do të hynte në fuqi kundër-propozimi indirekt i Këshillit Federal, përcjell albinfo.ch. Ai përcakton që fytyra nuk mund të mbulohet kur bëhet fjalë për kontaktin me autoritetet dhe se askush nuk mund të detyrohet të mbulojë fytyrën.

Pjesë të partive PS dhe CVP si dhe parti të ndryshme kantonale dhe të reja e mirëpresin këtë propozim. Ndërsa tërësisht në mbështetje të iniciativës është partia SVP.

Iniciator i saj është deputeti i njohur i krahut të djathtë të kësaj partie të djathtë, Walter Wobmann, transmeton albinfo.ch. Ai, në krye të “Komitetit të Egerkingenit”,  kishte qenë po ashtu autor i iniciativës për ndalimin e minareve, në vitin 2010.

Kjo iniciativë pati fituar votat e zviceranëve, në referendumin e mbajtur atë vit.