Kosova

Rëndohet gjendja nga reshjet e shiut në Kosovë

Reshjet e mëdha të shiut dhe të borës që kanë vështirësuar qarkullimin në disa rrugë anë e mbanë Kosovës.

Ministria e Infrastrukturës bën me dije se në një pjesë të auto-udhës Vërmicë-Gjuricë ka pasur rrëshqitje të dheut gjatë së premtes, si pasojë e reshtjeve të shiut.

Ministria ka njoftuar se autostrada “Ibrahim Rugova”, është e qarkullueshme.

“Ministria e Infrastrukturës njofton qytetarët se pas reshjeve të shiut në drejtim të auto-udhës Vermicë-Gjurgjicë në kilometrin e 53 kemi rrëshqitje të dheut, të një sasie jo të madhe, por që auto-udha ‘Ibrahim Rugova’ është e qarkullueshme”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Një gjë e tillë ka ndodhur edhe në lagjen “Dardania” në qytetin e Gjakovës.

Gjendja nga reshjet e shumta të shiut dhe borës, është e rënduar por e menaxhueshme, edhe pse lumi Mirusha në disa vende ka dalë nga shtrati. Si pasojë e reshjeve, disa rrugë janë bllokuar, përfshi edhe qytetin, ndërsa qytetarët janë duke shfrytëzuar rrugët alternative.

Po ashtu disa ura janë mbuluar nga uji dhe më problematike për qarkullim është rruga Malishevë-Kijevë.

Të gjitha ekipet emergjente komunale, së bashku me forcat e rendit, janë në terren dhe situata është duke u menaxhuar, por lutem të gjithë qytetarët që të mos lëvizin pa nevojë, pasi në disa rrugë ka probleme në qarkullim.

Nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, së bashku me drejtoritë përkatëse dhe ekipet përgjegjëse të emergjencave dhe të rendit, prej mëngjesit janë në terren në menaxhim situatës.

Ura në rrugën Malishevë-Kijevë është bllokuar, gjithashtu rruga Mirushë-Gurbardh, tek liqeni, është bllokuar, rruga në Turjakë, një urë në një lagje në Damanek, pastaj vështirësi ka edhe në rrugën e transitit në Malishevë, në qendër të qytetit, rruga Malishevë-Banjë ka probleme në qarkullim, prandaj luten të gjithë ngasësit e automjeteve që të shfrytëzojnë rrugët alternative në këto pjesë të Komunës së Malishevës.