Lajme

Prodhimet e Kosovës në tregun e Serbisë

Marrëveshja për normalizim të marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë, e nënshkruarmë 4 shtator 2020 në Uashington, ka bërë që kompania nga Suhareka, që merret me prodhimin e verërave nga rrushi, të dyfishojë sasinë e shitjes se këtij produkti në shtetin e Serbisë.

Më 4 shtator 2020, kryeministri, tashmë në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Shtëpinë e Bardhë, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, nënshkruan marrëveshjen për normalizim ekonomik, që ka 16 pika.

Pas kësaj marrëveshjeje, më 14 shtator, kompania “Agro Kosova Holding” nga Kosova dhe kompania “Euro Test” nga Serbia, nënshkruan një marrëveshje në vlerë prej një milion eurosh, marrëveshje kjo që mundëson që produktet e Kosovës të shiten në Serbi.

Veseli: Në muajin shkurt 2021 finalizohet marrëveshja e Uashingtonit

Albulena Veseli, menaxhere në këtë kompani, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se në bazë të marrëveshjes, dërgesa e parë në Serbi ka shkuar në muajin nëntor të vitit 2020, kurse në muajin shkurt të vitit 2021, do të eksportohet edhe dërgesa e dytë, me të cilën do të finalizohet marrëveshja.

“Realisht, kompania jonë që nga viti 2017 është e pranishëm në tregun e Serbisë. Por, kontrata që është realizuar në kuadër të marrëveshjes së Uashingtonit, ka dyfishuar sasinë e eksportit në Serbi. Deri më tani, 30 për qind ka qenë vlera e qarkullimit, por me këtë marrëveshje është dyfishuar sasia”, thekson Veseli

Veseli thotë se përveç kontratës që kompania “Agro Kosova Holding” ka në bazë të marrëveshjes së Uashingtonit, me kompaninë në Serbi “Euro Test”, tashmë janë në negociata edhe me kompani të tjera në këtë treg. Përveç tregut të Serbisë, kjo kompani eksporton edhe në vende të ndryshme të rajonit dhe të Evropës. Numëron 50 punëtorë të rregullt dhe 200 të tjerë sezonalë.

“Edhe më herët kemi pasur kërkesa për produktet tona, por tashmë janë rritur kërkesat edhe nga blerës të rinj”, tha ajo.

Tahiri: Vazhdimisht kemi eksportuar në Serbi

Edhe kompania prodhuese e radiatorëve panel dhe gypor “Enrad” nga Gjilani, vazhdimisht gjendet në tregun e Serbisë, thotë drejtori i kësaj kompanie, Tahir Tahiri.

Ai tregon se gjatë një viti në tregun e Serbisë, kompania e tij eksporton produkte në vlerë prej 1. 5 milion eurosh, në shtatë kompani serbe me të cilat ka kontrata.

“Po, kemi eksportuar me vite të tëra. Kemi kompanitë e njëjtë që kemi kontrata dhe punojmë rregullisht me ta. Kemi shtatë ose tetë kompani në Serbi”, tha ai.

Prodhuesit nga Kosova me vështirësi kanë arritur të eksportojnë produktet e tyre në Serbi, qoftë sepse siç thonë prodhuesit, qytetarët e Serbisë nuk konsumojnë produktet e Kosovës, qoftë problemeve të shumta me dokumente në të cilat shkruan Republika e Kosovës, e që autoritetet serbe nuk i njohin.

Këtë e dëshmon edhe bilanci tregtare në mes këtyre dy shteteve. Sipas të dhënave zyrtare të Doganës së Kosovës, gjatë vitit 2020, produktet e Kosovës në tregun e Serbisë kanë arritur vlerën mbi 27 milionë euro, përderisa produktet e Serbisë në tregun e Kosovës janë rreth 160 milionë euro.

Por, Tahir Tahiri nga kompania “Enrad” thotë se nuk është përballur me probleme të tilla.

“Produktet tona i pranojnë rregullisht sepse kanë kualitet. Çdo shtet që ka produktet me kualitet dhe çmim të arsyeshëm, pranohen edhe nga shtet tjera edhe nga Serbia. Nuk kam pas probleme me dokumente. Në dokumentet tona shkruan ‘SH.P.K Gjilan’. Gjilani në Kosovë është”, thekson ai, transmeton express, përcjell Albinfo.ch.

Radiatorët e prodhuar në Kosovë, nga vitet e 80-ta gjenden në Serbi

Ai tregon se radiatorët që përdoren për ngrohje qendrore, të prodhuar në Kosovë, edhe para luftës kanë qenë në tregun e Serbisë.

Kompania “Enrad” dikur ishte ndërmarrje shoqërore “Jugoterm”, por është privatizuar në vitin 2012. Pas kësaj periudhe, Tahiri kujton se kompania ka qenë e shkatërruar dhe pa teknologji adekuate. Vite më pas, janë investuar miliona euro në objekt dhe teknologji, çka aktualisht numëron mbi 200 punëtorë dhe 500 radiatorë të prodhohen brenda ditës. Kurse, këto produkte tashmë janë prezentë edhe në tregun e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Kroacisë, Bosnje e Hercegovinës, Sllovenisë dhe në Greqisë.

“Kompania edhe kur ka qenë ndërmarrje shoqërore, nga viti 1978 e ka pasur tregun e vendeve të ish-Jugosllavisë. Edhe pas përfundimit të luftës, kemi vazhduar eksportin. Mandej, në vitin 2012 kompania është privatizuar dhe ka vazhduar eksportin pa problem”, tha Tahiri.

Ndryshe, në dokumentet e produkteve të prodhuara në Kosovë, në të cilat shkruan Republika e Kosovës, në disa raste nuk pranohen nga autoritetet doganore në Serbi.

Deklarata doganore e mallrave, fatura komerciale, certifikata e origjinës, janë disa dokumente të cilat kërkohen për të eksportuar një produkt nga Kosova për në një shtet tjetër. Por, Serbia nuk i pranon këto dokumente.

Qeveria e Kosovës në vitin 2018, e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, pati vendosur taksë doganore prej 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Më pas taksa u pasua me reciprocitet. Por, me t’u zgjedhur, kryeministri tashmë në detyrë, Avdullah Hoti, hoqi të gjitha masat, me qëllim që t’i jepej shans vazhdimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Dialogu në Bruksel rinisi në korrik të vitit 2020.