Kosova

Qytetarë të shumtë po testohen në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë

Edhe mëngjesin e sotëm, në sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytet ka vazhduar testimi i qytetarëve nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKShPK).

Kjo është dita e dytë e testimeve të qytetarëve, me qëllim të sensibilizimit dhe parandalimit të Covid-19.

Njoftimi i plotë:

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, përkundër situatës epidemiologjike e cila ditëve të fundit ka shënuar rënie të rasteve, po vazhdon me testimin dhe sensibilizimin e qytetarëve në parandalimin e COVID-19.

Ekipet e IKShPK po vazhdojnë hetimin epidemiologjik dhe gjurmimin e rasteve gjithandej vendit.

Task Team i IKShPK ka organizuar testime plotësuese pranë sheshit “Zahir Pajaziti” në Prishtinë:

  1. Testimi bëhet prej orës 9.30 deri në ora 13.00 më datë 29 dhe 30 dhjetor 2020;
  2. Marrja e mostrave të hundës dhe fytit, bëhet në baza vullnetare për qytetarët që dëshirojnë të testohen me RT-PCR;
  3. Procedura e marrjes së mostrave bëhet sipas protokoleve të IKSHPK nga ekipet me përvojë të cilat marrin mostra rregullisht në IKShPK dhe në terren, nëpër institucionet e ndryshme, sipas indikacioneve epidemiologjike.

Duke pasur parasysh rëndësine e marrjes së mostrave për depistimin e rasteve të cilët nuk kanë shenja të sëmundjes,

IKShPK apelon tek qytetarët që të vijnë të testohen në SARS-CoV-2, duke ju informuar gjithashtu se testimet vazhdojnë në IKShPK dhe të gjitha Qendrat rajonale të shëndetësisë publike në Kosovë.