Tematike

Ekspertja shqiptare nga Zvicra: Vaksinimi nuk ka alternativë 

Dr. Fatime Imeri-Berisha: Vaksinimi është padyshim mënyra më efikase e luftës kundër përhapjes së virusit. Pa vaksinim, COVID-19 do të na shoqërojë edhe një kohë të gjatë, me intensitetin që e kemi përjetuar muajt e fundit 

Pas një kohe të gjatë të debateve për pandeminë e koronavirusit në përgjithësi, gjatë dy muajve të fundit kemi një intensifikim të debatit mbi vaksinat dhe vaksinimin, në veçanti. Kjo lidhet me avansimin që sidomos gjatë muajit nëntor u arrit në prodhimin dhe testimin e disa vaksinave. Në këtë kontekst, debati që po zhvillohet aktualisht lidhet me dilemat: të merret apo të mos merret vaksina. Këtu ka pak hezitim të kuptueshëm, kur dihet se lejimi i vaksinave nga autoritetet përkatëse është bërë në njëfarë “procedure të shkurtuar”.  

Albinfo.ch u ka drejtuar dy specialistëve shqiptarë të mjekësisë në Zvicër: Dr. Fatime Imeri -Berisha dhe Dr. Agron Abrashi, pyetjet e njëjta në lidhje me vaksinën dhe vaksinimin. Sot po e publikojmë intervistën me dr. Imeri Berisha.

Keystone

Albinfo.ch: Deri më tani janë proklamuar si të licencuara të paktën 3 vaksina të ndryshme kundër koronavirusit. Cili është mendimi juaj: A është ndjekur procedura normale e paraparë për licencimin apo certifikimin e këtyre vaksinave? 

Dr. Fatime Imeri-Berisha: Konstatim dhe fakt është që procedura e testimit është bërë pak më ndryshe nga kriteret e deritashme Në bazë të kritereve deri më tash, së pari është bërë faza klinike I ku janë testuar përafërsisht 100 persona të shëndetshëm (18-55 vjeç) dhe pastaj është filluar me fazën klinike II kurse pas përfundimit të saj me fazën klinike III. Nëse gjatë fazës I janë shfaqur efekte anësore të rrezikshme, janë ndërprerë testimet e mëtutjeshme dhe janë rishikuar edhe një herë doza dhe përmbajtja a vaksinës. 

Te vaksina kundër COVID-19, fazat klinike I dhe II janë lejuar të bëhen në mënyrë paralele për të përshpejtuar testimin dhe eventualisht edhe licencimin. Mirëpo kriteret tjera janë zbatuar edhe te procesi i testimit të kësaj vaksine. Këto të dhëna janë konfirmuar nga kompanitë farmaceutike që kanë testuar vaksinat potenciale kundër COVID-19. 

Nëse nuk është ndjekur në përpikëri procedura në fjalë, çfarë mund të jenë pasojat për të vaksinuarit? 

Procedurat apo fazat klinike I dhe II janë paraparë për të testuar sigurinë kurse faza klinike III për sigurinë dhe sidomos efikasitetin e vaksinës. Sa më shumë të zgjasin testimet, sa më shumë njerëz të marrin pjesë në fazën III aq më me siguri mund të konstatohen efikasiteti respektivisht kohëzgjatja e imunitetit dhe po ashtu edhe efektet anësore.Kjo ndodh edhe në fazën IV, e cila fillon pas licencimit dhe aplikimit të vaksinës në masa të gjera. 

Për pasoja, nëse do të ketë, është ende herët të flitet, sepse nevojiten të dhëna të cilat mund t`i kemi vetëm atëherë kur të kalojë një periudhë kohore e caktuar. 

Cila nga këto vaksina, sipas mendimit tuaj është më efikase dhe përse? 

Edhe unë, sikur edhe mbarë opinionidhe ekspertët shëndetësorëbazohem në të dhënat e prodhuesve të këtyre vaksinave sepse ende nuk kemi publikime të pavarura dhe përvojë nga testimet në masëNë bazë të deklaratave të prodhuesve, vaksina BNT162b2 (BioNTech and Pfizer) dhe mRNA 1273 (Moderna) kanë efikasitet përafërsisht të njëjtë 95% resp. 94.1%, kurse vaksina ChAdOx1 nCoV-19/AZD1222 (AstraZenecaUniversity of Oxford dhe Serum Institute of India) ka treguar një efikasitet prej 90%-95% varësisht nga grupmoshat e vaksinuara 

Ende nuk dihet nëse këto vaksina lënë imunitet të përjetshëm apo njerëzit duhet të rivaksionohen pas një kohe. Pasi që ende nuk kemi informata të tilla, është vështirë nga perspektiva e ditës së sotme të përcaktohem për njërën nga këto vaksina. 

Kudo në botë, pra edhe në Zvicër, ka shumë njerëz skeptikë rreth vaksinave, rreth 52 % të zviceranëve të anketuar janë deklaruar se nuk duan të vaksinohen. Si mund t`ua shpjegoni në këtë rast njerëzve tanë se vaksinimi është i domosdoshëm? 

Skepticizmi ndaj vaksinave ka ekzistuaredhe para vaksinës kundër COVID-19.  Vaksinimi do të thotë në njërën anë mbrojtje nga infeksioni me një mikroorganizëm të caktuar (bakterie, virus). Në anën tjetër do të thotë edhe solidarizim me personat e rrezikuar, për të cilët infeksioni me atë mikroorganizëm mund të jetë fatal 

Nëse individët e shëndetshëm janë të vaksinuar dhe imunë, atëherë rrjedhimisht, ata nuk do të infektohen dhe nuk do ta përhapin virusin te pacientët me sëmundje kronike, për të cilët infeksioni mund të përfundojë me komplikime dhe vdekje. 

A mendoni se në skepticizmin rreth vaksinimit luajnë rol teoritë konspirative, sikur në rastin e mohimit të ekzistimit të koronavirusit nga një pjesë e konsiderueshme e njerëzve? Apo mos me këtë rast kemi të bëjmë me një frikë më legjitime? 

Vetëm atëherëkur frika është e bazuar në argumente mund të quhet legjitime. Në rastin e COVID-19 mund të jetë në njërën anë teoria e (mos)ekzistimit të virusit dhe nga ana tjetër edhe procedura e zbulimit dhe testimit të vaksinës. Ka disa pyetje në të cilat ende nuk kemi përgjigje, siç janë ajo e kohëzgjatjes së imunitetit pas marrjes së vaksinës apo edhe pyetja lidhur me efektet anësore afatgjate. Pastaj, janë edhe disa grupe individësh, te të cilët vaksina nuk është testuar ende, siç janë fëmijët, apo gratë shtatzëna, te të cilat vaksina mund të jetë e dëmshme për fetusin. 

Padyshim që duhet të  monitorohen, shikohen në mënyrë kritike dhe eventualisht edhe të rishikohen të dhënat statistikore të testimeve. Për këtë çështje  në Zvicër e kemi Institutin Shtetëror Swissmedic i cili merret me licencimin, kontrollimin dhe monitorimin e barnave. Kam besim të plotë që Swissmedic, si një nga institutet më serioze dhe më rigoroze në botë, nuk do t`i japë licencë ndonjë vaksine të dyshimtë në pikëpamje të efikasitetit dhe sigurisë. 

Si mendoni, çfarë mund të ndodhë në rast se me të vërtetë më shumë se gjysma e qytetarëve do të refuzonin vaksinimin? 

Nëse kësaj ia shtojmë edhe faktin që infeksioni i kaluar nuk rezulton me imunitet të përjetshëm dhe se ende nuk kemi barna efikase kundër SARS-CoV-2, atëherë do të ndodhë ajo që më së paku e dëshirojmë: qarkullimi i virusit në përmasa të deritashme. 

A e rrezikon kjo të gjithë procesin e vaksinimit ose e lë në gjysmë luftimin e pandemisë, gjegjësisht a vazhdon ajo të përhapet sikur më parë? 

Vaksinimi do të ishte padyshim mënyra më e mirë dhe më efikase e luftës kundër përhapjes së virusit.Kam frikë që pa aplikimin e vaksinës, COVID-19 do të na shoqërojë edhe një kohë të gjatë me intensitetin që e kemi përjetuar muajt e fundit. 

 Në këtë kuptim, a jeni ju për atë që vaksinimi të jetë i detyrueshëm? 

Unë nuk jam ithtare e detyrimeve apo që marrja e vaksinës të bëhet e obligueshme. Nëse vërtetohet që vaksina është e sigurt dhe efikase, atëherë,  vend të detyrimeve shumë më tepër do të kisha apeluar te mjekët që t`i informojnë njerëzit apo pacientët dhe t`i bindiata që vaksinimi është arma më e mirë në betejën kundër COVID-19 

Kur e shihni të përmbyllur procesin e vaksinimit dhe, eventualisht edhe heqjen nga rendi i ditës të gjithë pandemisë? 

Duke u bazuar në deklaratat e ekspertëve,shpresoj shumë që ky proces të përfundojë në 2021/2022. Natyrisht, nëse efikasiteti dhe siguria e vaksinës do të jenë në nivel. Nëse vaksina do të vazhdojë të ketë efikasitetin e njëjtë si në testime klinike (mbi 90%), dhe nëse vaksinohen pjesa dërmuese e njerëzve (mbi 90%), atëherë, edhe nëse virusi nuk zhduket tërësisht, ne do ta kemi nën kontroll COVID-19! 

(Intervista është realizuar nga mesi i dhjetorit, për magazinën e fundvitit të albinfo.ch)