Tematike

Në këto kantone, vaksinimi fillon nesër

Për fillim, në dispozicion janë 107,000 doza të vaksinës. Përgatitjet në kantone janë në vlug

Kantonet si: Lucern, Uri, Schwyz, Zug, Nidwalden dhe Obwalden, ato që njihen si kantonet e Zvicrës qendrore, do të fillojnë vaksinimin nesër, e mërkurë, më 23 dhjetor.

Nëse do të ketë në dispozicion doza të mjaftueshme, vaksinimi i rregullt dhe masiv do të fillojë më 4 janar 2021, shkruan srf.ch.

Lucerni ishte kantoni i parë në Zvicrën qendrore dhe në gjithë vendin që ka njoftuar se si duket plani i vaksinimit në terma konkretë, transmeton albinfo.ch. Ai po krijon katër qendra të vaksinimit. Qendra më e madhe është në Qendrën e Panaireve të Lucernit.

Shtëpitë e të moshuarve dhe personeli i spitaleve kanë përparësi për vaksinimet. Ekipet lëvizëse të vaksinimit do të shkojnë në këto shtëpi nga Qendra e panaireve e Lucernit dhe do të vaksinojnë banorët që dëshirojnë.

Kantoni i Fribourgut do të fillojë programin e vaksinimit javën që vjen. Presidentja e Këshillit të Shtetit Anne-Claude Demierre ka deklaruar për RTS se Freiburgu do të fillojë vaksinimin e të moshuarve dhe banorëve të shtëpive të pleqve “menjëherë”.

Kantoni ka qenë në gjendje të porosisë 3,000 doza vaksinash. Qendra e parë e vaksinimit publik është planifikuar të hyjë në veprim më 15 janar.

Kantoni Basel-Stadt do të fillojë vaksinat e para kundër Covid-19 më 28 dhjetor. Fillimisht, vaksinohen vetëm njerëzit e moshës mbi 65 vjeçare. Të gjitha terminet e ofruara deri në fund të vitit,  tashmë janë rezervuar.

Gjithsej rreth 1900 njerëz do të marrin vaksinë Covid-19 në tri ditët nga 28 deri më 30 Dhjetor, përcjell albinfo.ch. Vaksinimi bëhet në qendrën e panaireve të Bazelit.

Kantoni Valis do të fillojë gjithashtu vaksinimet për Covid më 28 dhjetor. Kjo është bërë e ditur nga Këshilltarja e Shtetit, Esther Waeber-Kalbermatten.

Të gjitha kantonet tjera, procesin e vaksinimit e fillojnë nga 4 janari i vitit 2021 e tutje.