Kosova

Mustafa: VV-ja sheh ëndrra se mund t’i fitojë 50% të votave

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se raportet me Ramush Haradinajn dhe Fatmir Limajn janë normale.

“Ne flasim çdoherë, janë raporte normale. Kemi punuar bashkarisht edhe për Ligjin për rimëkëmbje. Jemi duke biseduar edhe Ligjin për buxhetin, për presidentin. Sepse nëse nuk e gjejmë tash zgjidhjen për president, prapë duhet të ulemi dhe të bisedojmë. Ta kemi një tryezë ku flasim hapur”, ka thënë Mustafa në emisionin “Debat” të RTK-së.

Po ashtu, ai ka thënë se shpreson që krerët e partive të takohen brenda këtij viti dhe të bisedojmë për presidentin.

“Kam menduar që ta takohemi javën e kaluar, por ata i kanë arsyet e veta dhe i shikojnë rrjedhat nga këndvështrimi i vet. Por ne duhet ta kemi një tryezë pa kushte. Nëse arrijmë marrëveshje mirë, nëse jo tentojmë prapë”, ka thënë Mustafa.

Sipas tij, gjendja nuk është dramatike, edhe nëse shkohet në zgjedhje.

“Këtu jemi, bashkë jemi, ndajmë edhe interesat e përbashkëta. Legjitimiteti popullor është zhargon politik, sepse gjithmonë thirremi në ata. Qytetarët e meritojnë votën e tyre. Në asnjë rast qytetari s’mund ta rëndojmë, sepse qytetari të ka besuar në zgjedhje. Këto probleme duhet t’i zgjidhim ne vetë dhe jo çdo moment të kthehemi te qytetari. S’ka nevojë që zgjedhjet të mbahen çdo vit ose çdo gjashtë muaj”, ka thënë kryetari i LDK-së.