Kosova

“Die Presse”: Kosova, në krizë politike pas aktakuzave të Speciales

Gazeta prestigjioze austriake “Die Presse” ka shkruar lidhur me konfirmimin e aktakuzave nga Gjykata Speciale kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë ish-presidentin Hashim Thaçi.

Pas aktakuzave të fundit nga Gjykata Speciale kundrejt politikanëve shqiptarë, është bërë jehonë në shumë media të botës. Së fundmi, gazeta e madhe austriake “Die Presse” ka shkruar lidhur me konfirmimin e aktakuzave nga Gjykata Speciale kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë ish-presidentin Hashim Thaçi, transmeton albinfo.ch.

Aty theksohet se Parlamenti në Prishtinë duhet të bjerë dakord për një kryetar të ri të shtetit. Presidenti i mëparshëm, Hashim Thaçi, është duke u gjykuar në Hagë, shkruan “Die Presse”.

Po ashtu, kjo gazetë shkruan se “njeriu i fortë i Kosovës, Hashim Thaçi, tani duhej ta ndërronte karrigen e njohur të zyrës me bankën e të akuzuarve. Me një ngurrim të dukshëm, presidenti, i cili kishte dhënë dorëheqjen disa ditë më parë, e lejoi veten t’ia lexojnë aktakuzën në paraqitjen e tij të parë përpara Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë në fillim të javës”, shkruan medium austriak.

Në raportin e kësaj gazete shkruhet se “ish-udhëheqësi politik i ushtrisë së shqiptarëve të Kosovës, UÇK, hodhi poshtë akuzat për përgjegjësi për krime lufte, të tilla si vrasje, persekutim dhe tortura gjatë luftës së Kosovës në fund të viteve 1990: “Unë deklarohem i pafajshëm për çdo pikë”, ka shkruar gazeta austriake, duke theksuar se si David Hooper, avokat i Hashim Thaçit, ironizoi me mungesën e akuzave për trafikim organesh në aktakuzën kundër klientit të tij”, transmeton albinfo.ch.

Të enjten e javës së kaluar, ish-presidenti Hashim Thaçi, bashkë me ish-kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin dhe shefin e Grupit Parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi, u nisën me një avion për në Dhomat e Specializuara në Hagë. Një ditë përpara, ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi ishte arrestuar dhe ishte dërguar në paraburgimin e Dhomave të Specializuara.

Arrestimet erdhën pasi një gjyqtar i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale ka konfirmuar aktakuzat ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. Prokuroria e Specializuar i akuzon krerët e UÇK-së se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve. /Albinfo.ch